Një pishinë në Mitrovicë organizon “Pool party”

Mitrovica

Një pishinë në Mitrovicë organizon “Pool party”

Më: 4 gusht 2020 Në ora: 11:20
Foto ilustrim

Një “Pool party” është paralajmëruar të mbahet sot në një pishinë në Shupkovc të Mitrovicës, ndonëse me vendim të Qeverisë, pishinat publike janë mbyllur për një afat të pacaktuar.

Përmes Instagramit, pishina “Mrizi Zanave” ka njoftuar se kanë mbetur vetëm edhe pak vende të parezervuara.

I kontaktuar nga Gazeta Sinjali, pronari i pishinës, Nexhat Çela ka thënë se nuk bëhet fjalë për “Pool party”, siç është paralajmëruar në Instagram. Sipas tij, do të jetë një ndejë sikurse në çdo kafene tjetër.

“Është.. si me thënë.. një event sikur në çdo kafeteri tjetër. Nuk ka lidhje me “Pool party”, por është në hapësirë, jashtë, deri në orën 22:30″, ka thënë Çela.

Kësisoj, ai nuk beson se Policia do ta ndalë ndejën që pritet të nis sonte në orën 19.00.

“Nuk e besoj që do të vijnë Policia sepse është sikur çdokund. Si në disa kafeteri.. atje plot është, gjithmonë plot dhe janë në hapësirë të brendshme. Kurse te ne, është jashtë dhe nuk e besoj që duhet me pasë pengesë… Si gjithandej, nuk është diçka e veçantë. As nuk ka “Schiuma party”, as “Pool party” kështu, vetëm ndejë e veçantë, me pije, pa ushqim, pa kurrgjë”, ka thënë ai.

Me vendimin e marrë më 28 korrik, Qeveria i lejon vetëm pishinat e mbyllura, por jo ato në vende të hapura.

“Lejohen vetëm fitneset, pishinat e mbyllura dhe sportet individuale, në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”, thuhet në pikën e nëntë të vendimit të Qeverisë me masat e reja. 

Image

 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat