Tek hapësira afër xhamisë “Isa Beg” në Mitrovicë, është hapur panairi i produkteve vendore, për katër javë rresht nga tre ditë në javë, që është mbështetur nga Komuna e Mitrovicës, gjegjësisht nga Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik, në bashkëpunim me organizatën “Business Women”, dhe gratë e tjera fermere.
Qëllimi i këtij panairi është të mbështes prodhuesit vendor dhe të rrisë vetëdijesimin për konsumimin e produkteve vendore, si dhe të promovojë kreativitetin dhe idetë e prodhuesve tanë.
Këtë panair e kanë vizituar nënkryetari i komunës, Faruk Mujka së bashku me drejtorin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ekrem Sadiku, dhe drejtorin për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi.
Gjatë vizitës nënkryetari Mujka, tha se panairi i produkteve vendore tashmë është bërë tradicional dhe është një mundësi e mirë që prodhuesit t’i promovojnë dhe shesin produktet e tyre.
Po ashtu, nënkryetari Mujka, shtoi se Komuna e Mitrovicës, aq sa i lejojnë mundësitë buxhetore, do t’i përkrahë prodhuesit vendor në fushën e promovimit të produkteve të tyre, andaj edhe i inkurajon ata për punë të vazhdueshme dhe të palodhshme.