Komuna e Mitrovicës suspendon mësuesin që theri 11 herë gruan me thikë

Mitrovica

Komuna e Mitrovicës suspendon mësuesin që theri 11 herë gruan me thikë

Më: 11 shtator 2020 Në ora: 13:39
Qendresa Barani

Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se ka suspenduar nga puna mësimdhënësin që theri 11 herë me thikë gruan e tij.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ka thënë se nuk do të lejojnë asnjëherë që mësimdhënësit të cilët shprehin dhunë, të jenë pjesë e institucioneve arsimore në Mitrovicë.

Mëngjesin e së martës, Q.R. 36-vjeare, nga fshati Klinë e Poshtme e Skënderajt, u dërgua urgjentisht për në Qendrën e Mjekësisë Familjare të këtij qyteti.

Në trupin e saj, kryesisht në pjesën e abdomenit, kishte dhjetëra plagë të shkaktuara nga një thikë. Lëndime jo të lehta trupore kjo 36-vjeçare kishte marrë edhe në dy duart.

E të gjitha këto plagë dyshohet se viktima i ka marrë nga burri i saj me të cilin ka dy fëmijë.

I dyshuari është arrestuar, ndërkohë para organeve të hetuesisë nuk ka dashur që të flasë për ngjarjen.

Njëjtë kanë bërë edhe familja e tij.

Ky është njoftimi i plotë i Komunës së Mitrovicës:

Komuna e Mitrovicës supsendon nga puna mësimdhënësin që sulmoi bashkëshorten e tij

Pas marrjes së njoftimit zyrtar nga Policia e Kosovës, lidhur me rastin e sulmit të mësimdhënësit (F.R.) ndaj bashkëshortes së tij (Q.R.) njëkohësisht të dy mësimdhënës në Komunën e Mitrovicës, Kryetari Agim Bahtiri, në koordinim me drejtorin e DKA-së, Egzon Jashari, kanë marrë vendim për suspendim nga marrëdhënia e punës të të dyshuarit (F.R.) për aktin e kryer.

Rasti i ndodhur ka qenë mjaft shqetësues për qytetarët e Mitrovicës, me theks të veçantë edhe për kryetarin Bahtiri i cili e ka vlerësuar si një akt shumë të ulët dhe jo njerëzor.

“Çdo akt i dhunshëm duhet të trajtohet urgjentisht nga organet e rendit dhe ligjit, si dhe personave të tillë t’u shqiptohet dënimi i merituar. Ne nuk do të lejojmë asnjëherë që mësimdhënësit të cilët shprehin dhunë të jenë pjesë e institucioneve arsimore në komunën tonë”, shtoi kryetari Bahtiri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat