​Zbulohet pllaka përkujtimore për dëshmorin Hamdi Sheremeti

Mitrovica

​Zbulohet pllaka përkujtimore për dëshmorin Hamdi Sheremeti

Më: 2 tetor 2020 Në ora: 18:11
​Zbulohet pllaka përkujtimore për dëshmorin, Hamdi Sheremeti

Në Shipol të Mitrovicës sot është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore në nderim të dëshmorit të kombit, Hamdi Sheremeti, i rënë heroikisht në betejën e lavdishme të Koshares gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pllaka përkujtimore është zbuluar në shtëpinë e dëshmorit, aty ku ai lindi dhe u rrit në frymën e heroizmit e atdhedashurisë.

Në ceremoninë e zbulimit të kësaj pllake të pranishëm ishin, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, Rrustem Berisha, ish ministër i Mbrojtjes dhe komandant i “Brigadës 138 - Agim Ramadani”, Hisen Berisha, ish komandant i UÇK-së në Koshare, përfaqësues të OVL-UÇK-së bashkëluftëtar, familjarë dhe qytetarë të tjerë.

Me këtë rast, kryetari Bahtiri tha se në Kosharen e lavdishme, në betejën më të përgjakshme dhe më të suksesshme të UÇK-së për çlirimin e vendit nga okupatori serb, mori pjesë edhe një numër i madh i luftëtarëve nga komuna e Mitrovicës, të cilët dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për mposhtjen e armikut.

“Trimat e shumtë të këtij vendi luftuan me shekuj për një Kosovë të lirë dhe sovrane, lufta e tyre ishte paqësore dhe e drejtë dhe institucionet e vendit kanë obligim ndaj të gjithë martirëve të kombit, sepse pa gjakun e tyre, Kosova nuk do të ishte e lirë dhe e pavarur”, ka thënë kryetari Bahtiri.

Ndërsa, Rrustem Berisha, komandanti i Koshares, ka thënë se për të gjithë luftëtarët beteja e Koshares ishte synim i përbashkët për çlirimin e Kosovës dhe do të mbetet gjithmonë simbol i bashkimit e i lirisë.

“Heroizmi i Hamdiut dhe gjashtë dëshmoreve të tjerë nga Mitrovica të rënë në altarin e lirisë gjatës betejës së Koshares nuk duhet të harrohen. Të gjithë trimat e Koshares synim të përbashkët kishin çlirimin e Kosovës nga okupatori serbë”, tha komandanti Rrushtem Berisha.

Për veprën sublime dhe heroizmin e dëshmorit, Hamdi Sheremeti, foli edhe Hisen Berisha, i cili ka përgëzuar familjen Sheremeti e cila me këtë pllakë përkujtimore të ngritur me mjete vetanake do të shërbej si dëshmi dhe gjurmë për luftën e drejtë të UCK-së për liri dhe pavarësi.

“Le të shërbej kjo pllakë përkujtimore si dëshmi dhe gjurmë, për luftën e drejtë të djemve tanë. Këtë shembull ta ndjekin të gjitha familjet që kanë humbur familjarët e tyre, që përmes fotove e plakave të tyre ti tregojmë botës për luftën e drejtë të popullit tonë”, ka thënë komandant Berisha.

Ndërsa në emër të familjes, të pranishmit i ka përshëndetur Sanije Sheremeti, e cila i ka falënderuar të gjithë për mbështetjen e dhënë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat