Ministri Zemaj konfirmon se qyteti i Mitrovicës këtë javë është në zonën e verdhë

Mitrovica

Ministri Zemaj konfirmon se qyteti i Mitrovicës këtë javë është në zonën e verdhë

Më: 12 nëntor 2020 Në ora: 16:45
Pamje nga takimi

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, sot ka vizituar Komunën e Mitrovicës, me ç’ rast është pritur nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi, si dhe drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani.

Në këtë takim është diskutuar lidhur me situatën aktuale me virusin CoVid-19 në qytetin e Mitrovicës, dhe për masat e reja të cilat janë marrë nga Qeveria e Kosovës në luftimin e kësaj pandemie.

Fillimisht kryetari Bahtiri, ka njoftuar ministrin Zemaj për aktivitetet dhe masat e ndërmarra nga autoritetet komunale të lidhur me situatën rreth Covid -19 në Mitrovicë, ku potencoi se Komuna e Mitrovicës mbetet në përkushtim maksimal në luftën kundër pandemisë, duke falënderuar personelin mjekësor, policinë, inspektorët dhe të gjithë kontribuuesit tjerë, por edhe të gjithë qytetarët për një vetëdije të lartë në mbrojtje të shëndetit dhe respektim të rregullave të vendosura nga institucionet përkatëse.

Ndërsa sa i përket masave të vendosura nga Qeveria lidhur me vendosjen e Komunës së Mitrovicës në zonë të kuqe, kryetari Bahtiri ka reaguar ndaj këtij vendimi, duke e arsyetuar para ministrit Zemaj me shifra të sakta të personave të prekur në qytetin tonë të marra çdo ditë nga IKShP-ja, dhe pas këtyre informatave të detajuara dhe të argumentuara, ministri Zemaj është dakorduar që të përgatitet vendimi për qytetin e Mitrovicës që këtë javë të vazhdoj të jetë në zonën e verdhë, pra nuk do të ketë orë policore.

Po ashtu në fjalën e tij ministri Zemaj, ka falënderuar kryetarin Bahtiri për mikpritjen dhe menaxhimin e mirë që është bërë deri më tani në komunë lidhur me luftimin e këtij virusi, si dhe e njoftoi atë dhe autoritetet komunale të shëndetësisë për masat e ndërmarra nga Ministria për menaxhim të Covid-19 si në rrafshin e rritjes së kapaciteteve për trajtimin e të prekurve, ashtu edhe në rrafshin e zgjerimit të testimeve.

Ai ka thënë se Ministria e Shëndetësisë është duke fuqizuar aktivitetet e saj si në aspektin e shtimit të kuadrit mjekësor, ashtu edhe të masave mbikëqyrëse për zbatimin e Manualit për mbrojtje nga përhapja e Covid-19, të miratuar nga Ministria. Ministri Zemaj tha se MSh do të jetë afër komunave duke siguruar mbështetje për Kujdesin Parësor Shëndetësor, duke e ditur rëndësinë e këtij niveli që është porta e parë e luftimit të sëmundjeve.

Pas vizitës së realizuar në Komunën e Mitrovicës, kryetari Bahtiri së bashku me kryesuesin Kamberi dhe ministrin Zemaj, me bashkëpunëtorët e tij, kanë vazhduar vizitën në Spitalin Rajonal të Mitrovicës “Dr. Sami Haxhibeqiri”, ku janë pritur nga drejtori i këtij Spitali, Enis Istrefi, me të cilin kanë biseduar për kapacitetet e kësaj qendre për trajtimin e pacientëve me COVID-19, si dhe nevojat që ka personeli mjekësor në luftimin e kësaj pandemie.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat