Komuna e Mitrovicës dhe Policia ofrojnë mbështetje dhe siguri për banorët e fshatit Kçiq të Madh pas rasteve të vjedhjeve

Mitrovica

Komuna e Mitrovicës dhe Policia ofrojnë mbështetje dhe siguri për banorët e fshatit Kçiq të Madh pas rasteve të vjedhjeve

Më: 18 nëntor 2020 Në ora: 15:27
Pamje nga vizita

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, së bashku me kryesuesin e Kuvendit Komunal, Safet Kamberi, si dhe komandantin e Policisë së Stacionit Jugor në Mitrovicë, Ahmet Xhosha, me zyrtarë policor, sot janë mirëpritur në takimin e paraparë me kryesinë e fshatit Kçiq i Madh, ku morën pjesë edhe disa banorë nga ky fshat.

Qëllimi i këtij takimi ishte të njoftohen banorët lidhur me menaxhimin e situatës së sigurisë në fshatin Kçiq të Madh, paraqitja e shqetësimeve dhe kërkesat e banorëve, si dhe ofrimi i mbështetjes nga institucionet përgjegjëse, lidhur me rastet e fundit të vjedhjeve në shtëpitë e banorëve të këtij fshati.

Fillimisht kryetari Bahtiri, ka thënë se ndihet i nderuar që ndodhet në mesin e banorëve të Kçiqit, dhe se bashkë ndjenë me situatën në të cilën ndodhen, dhe shqetësimet që kanë ata me rastet e vjedhjeve të ditëve të fundit në këtë fshat.

Më tutje kryetari Bahtiri, ka thënë se qëllimi kryesor i vizitës së tij në fshatin Kçiq është ofrimi i mbështetjes maksimale nga ana e komunës dhe e Policisë së Kosovës, për t’ju ndihmuar në aspektin e sigurisë dhe përkrahjen e kërkesave apo shqetësimeve të tyre.

“Jemi të vetëdijshëm secili prej nesh që po përballemi me virusin CoVid-19 i përhapur në gjithë botën, dhe numrin e madh të personave që po preken nga kjo pandemi, dhe të dalin persona të tillë e të sjellin probleme e pasiguri në familjet tuaja është e pa tolerueshme, dhe nuk është e drejtë që në këtë gjendje që jemi si shoqëri të përballemi edhe me raste të vjedhjeve. Prandaj ne si institucione sot jemi këtu me një qëllim të vetëm që t’u ofrojmë mbështetjen e plotë si nga ana e komunës, ashtu edhe nga Policia e Kosovës, që këta njerëz që po kryejnë këto vjedhje të vendosen para ligjit, andaj nuk keni nevojë të bëni panik, dhe të krijoni pasiguri në familjet tuaja”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Ndërkaq komandanti i Policisë, Ahmet Xhosha, ka potencuar se Policia e Stacionit Jugor në Mitrovicë pas rasteve të vjedhjeve që kanë ndodhur këto ditë në fshatin Kçiq të Madh, ka ngritur menjëherë kapacitetet operative, ku janë angazhuar zyrtarë policor dhe të hetuesisë për të arritur zbulimin e këtyre rasteve, por që nevojitet edhe bashkëpunimi i mirë me banorët, në mënyrë që kryerësit e veprave të dalin para ligjit.

“Ne si Polici jemi të organizuar mjaft mirë, pasi që raste të vjedhjeve kanë ndodhur edhe nëpër vende tjera, dhe jemi të përgatitur në këtë drejtim. Policia do të jetë rregullisht në fshatin Kçiq për të monitoruar gjendjen dhe krijimin e sigurisë në këtë vend”, shtoi komandanti Xhosha.

Po ashtu kryesuesi i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi, ka kërkuar nga bashkëvendësit e tij që të bashkëpunojnë më shumë me Policinë e Kosovës, në mënyrë që fshati Kçiq ti kthehet normalitetit dhe banorët të mos ndihen të shqetësuar me këto fenomene negative.

Gjatë kësaj vizite institucionet komunale kanë kërkuar nga kryesia dhe banorët që jetojnë në këtë fshat të zgjedhin një përfaqësues legjitim të fshatit që paraqet kërkesat dhe shqetësimet duke u thirrur në emër të banorëve.

Gjithashtu në emër të banorëve të pranishëm, anëtari i kryesisë së këtij fshati, Imer Fejza, ka falënderuar për vizitën dhe interesimin e institucionet komunale dhe Policisë, dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ata japin për banorët dhe fshatin në përgjithësi.

Në fund të këtij takimi kryetari Bahtiri ka njoftuar banorët e pranishëm se vazhdon të jetë i përkushtuar në ofrimin e të gjitha shërbimeve në aspektin infrastrukturor, ku brenda kësaj jave pritet të filloj implementimi i projektit për ndriçimin publik të të gjithë fshatit, dhe vendosjen e kamerave të sigurisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat