RrGK kërkon përgjegjësi institucionale për rastin e incestit në Mitrovicë

Mitrovica

RrGK kërkon përgjegjësi institucionale për rastin e incestit në Mitrovicë

Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 15:13
Ilustrim

Të premten që lamë pas, në emisionin “Udhëve” të RTK-së, u bë publik rasti i së miturës 17-vjeçare e cila ishte përdhunuar seksualisht nga babai i saj, në rajonin e Mitrovicës.

Gjykata Themelore e Mitrovicës e kishte shpallur të pafajshëm të pandehurin, duke e liruar atë nga të gjitha akuzat. Arsyeja kryesore për lirimin e tij, edhe pse kishte prova bindëse, përfshirë këtu edhe deklaratën e 17-vjeçares, ishte se prokuroria kishte dështuar të ofronte dëshmi të mjaftueshme për ta bindur trupin gjykues për fajësinë e tij. Kjo ka bërë prokurorinë ta përdorte të drejtën e ankimimit, duke e dërguar rastin në Gjykatën e Apelit.

Trajtimi i incestit vazhdon të mbetet tabu, si nga shoqëria, ashtu edhe nga institucionet. Sa seriozisht trajtohet incesti na e dëshmon më së miri edhe ky rast. 

Madje, vite më parë nëna e viktimës kishte raportuar dhunën që po e përjetonte nga bashkëshorti i saj, i dyshuar për dhunimin seksual të vajzës. Ai, vite më parë ia kishte ndaluar së miturës shkollimin. Po ashtu, raportimet e nënës së viktimës për përjetimet e dhunës në familje, të drejtuara në stacionin policor, kishin hasur në vesh të shurdhër. Po të trajtoheshin sipas kornizës ligjore fillimisht këto raportime, do të parandalohej edhe përjetimi më i tmerrshëm i së miturës, përjetim ky që do të lërë pasoja gjatë në shëndetin mendor të saj. Për ta vështirësuar edhe më shumë situatën, pasi që u shpall i pafajshëm, i dyshuari u rikthye sërish të jetojë në shtëpinë e njëjtë me viktimat e tij, gruan ndaj së cilës për vite me radhë po ushtronte dhunë në familje dhe vajza e cila ishte dhunuar seksualisht nga ai. Qendra e Punës Sociale, si organ përgjegjës për kujdesin e të miturve ishte distancuar nga çdo përgjegjësi, duke u arsyetuar se nuk kishin çfarë tjetër të bënin.

Pasi që rasti është në Gjykatën e Apelit, i bëjmë thirrje prokurorisë, që t’i përgatisë provat në bashkëpunim me ekspertët adekuatë, në mënyrë që të mos lihet hapësirë që ushtruesi i incestit të jetojë në liri. Po ashtu, presim nga prokuroria të kërkojë masë mbrojtëse për viktimën.

RrGK-ja ngrit shqetësimin se të jetuarit në të njëjtin ambient me ushtruesin e dhunës, përveç që dëmton mirëqenien psikologjike të saj, mund të ndikojë edhe në frikësim dhe kërcënim për të raportuar sërish, tani që rasti është në rigjykim. I bëjmë thirrje Qendrës së Punës Sociale ta trajtojë rastin me seriozitet, duke i kërkuar që të ketë edhe bashkëpunim me strehimoret për të mitur në mënyrë që të miturës t’i ofrohet strehim në rast se ajo ka nevojë, si edhe ndihmë psikologjike. Ne i bëjmë thirrje edhe Policisë së Kosovës, që të përgjigjet konform obligimeve ligjore në rastet e raportimeve të dhunës. Presim që edhe mbrojtësit e viktimave ta asistojnë prokurorinë që të sjellin drejtësinë.

Incesti sado që është temë tabu, ndodh në çdo shoqëri, përfshirë edhe shoqërinë tonë, ndaj ne kërkojmë drejtësi dhe trajtim të duhur për viktimat e incestit.

Gjithashtu ju njoftojmë se RrGK-ja do ta monitorojë trajtimin e këtij rasti si dhe do të jemi në gatishmëri për të ndihmuar që drejtësia të triumfojë. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat