VV: PDK, LDK, AAK e Lista Serbe mohuan 40 milionë euro për Mitrovicën

Mitrovica

VV: PDK, LDK, AAK e Lista Serbe mohuan 40 milionë euro për Mitrovicën

Më: 20 prill 2022 Në ora: 17:31
Konferenca per media

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Mitrovicë ka mbajtur sot konferencë për media duke ngritur shqetësim e mosvotimit nga opozita në Kuvend të marrëveshjeve ndërkombëtare prej të cilave Republika e Kosovës do të fitonte 100 milionë euro ku përfshihet edhe investimi prej 40 milionë eurosh për impiantin e ujërave të zeza për Komunën e Mitrovicës.

"Kushtëzimi për formimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë, për të cilin LV ka dhënë sqarimet e nevojshme, me votimin për një projekt kaq të rëndësishëm për jetën e qytetarëve të Mitrovicës tregon se si e vlerësojnë subjektet në fjalë qytetarin mitrovicas. PDK, LDK, AAK dhe Lista serbe kanë vendosur ta ndëshkojnë qytetarin mitrovicas duke bojkotuar seancën kur duhej votuar këto projekte", tha deputetja, Arjeta Fejza.

Ndërkaq asamblisti ynë në Mitrovicë, Kushtrim Zeneli, kujtoi edhe njëherë përfitimet nga kjo marrëveshje. "Realizimi i projektit do ti sillte shumë të mira Mitrovicës, si në aspektin mjedisor po ashtu edhe në atë shëndetsor. Kjo do të zvogëlonte në masë të madhe vëllimet e ujërave të zeza të cilat nuk trajtohen, si dhe ngarkesat ndotëse, të cilat shkarkohen drejtpërdrejt në lum. Ky projekt sigurisht do të ndikojë edhe në kyqjen e rrjetit të kanalizimit për shumë familje që nuk kanë qenë më herët’

"Mitrovica ka nevojë për vëmendjen e munguar nga qeveritë e mëhershme dhe projekte si kjo marrëveshje me vlerë 40 milionë euro do të duhej të përkraheshin nga të gjithë deputetet dhe jo të përdoren për të krijuar kauza artificiale në kurriz të qytetarëve tanë!", tha deputetja Fejza.

"Nëse në programet e këtyre partive gjatë fushatës prioritet ka qenë shëndeti i qytetarëve, mbrojtja e lumenjëve, mbrojtja e mjedisit, atëherë kjo marrëveshje do të duhej të votohej" tha Zeneli duke theksuar që kryetari aktual i Mitrovicës do të duhej të ishte në krye të këtij presioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat