​Hapet poliklinika ‘Olive Medical’ në Mitrovicë

Mitrovica

​Hapet poliklinika ‘Olive Medical’ në Mitrovicë

Më: 20 maj 2022 Në ora: 22:01
Foto ilustrim

Sot në qytetin e Mitrovicës është organizuar ceremonia e hapjes së poliklinikës ‘Olive Medical’, ku qytetarët e rajonit të Mitrovicës, tashmë do të kenë mundësinë të marrin shërbime të ndryshme klinike dhe diagnostike, të cilat garantojnë trajtime mjekësore efektive, shërbime cilësore, si dhe rezultate të besueshme të testeve laboratorike, të njohura edhe përmes aplikimit të standardeve më të larta ndërkombëtare.

Olive bashkë me laboratorin më të avancuar në kuadër të saj, ofrojnë një gamë të gjerë të ekzaminimeve specialistike nga mjekët më të mirë në vend. Kjo vetëm sa dëshmon se Olive Medical vazhdon të mbetet lider në fushën e saj dhe partner më i besueshëm për shëndetin e qytetarëve, u tha mes tjerash gjatë kësaj ceremonie.

Arben Vitia, menaxher në Olive, tha se investimi i bërë këtu garanton shërbime të sigurta, sepse plotëson kushtet e një qendre bashkëkohore duke pasur në vëmendje gjithmonë standardet evropiane të shërbimeve.

Sipas tij, hapja e kësaj qendre do të jetë vlerë e shtuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore sa më cilësore për qytetarët e Mitrovicës dhe më gjerë.

Vitia: Olive, qendër me standarde evropiane të shërbimeve shëndetësore

“Investimi i bërë këtu ka disa parametra të domosdoshëm për të garantuar shërbime të sigurta. Nga aspekti teknik dhe infrastrukturor, por edhe me profesionistët shëndetësorë, plotëson kushtet e një qendre shëndetësore bashkëkohore, që plotëson shërbimet për pacientët duke pasur në vëmendje standardet evropiane të shërbimeve shëndetësore…Ndaj jam I nderuar që jemi këtu bashkë në hapjen e kësaj qendre, e cila do të jetë vlerë e shtuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore sa më cilësore për qytetarët e Mitrovicës, por jo vetëm”, ka thënë Vitia.

Ndërkaq, kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, tha se ndihet gjithmonë i kënaqur kur investitorët zgjedhin qytetin e Mitrovicës për të investuar, sepse veç tjerash, hapin vende të reja pune dhe ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Mitrovicës.

Hamza: Është ndihmës e madhe për Mitrovicën 

“Për mua nuk ka më kënaqësi se kur shoh që vinë investitorë dhe zgjedhin Mitrovicën për të investuar…Çdo investim në cilëndo fushë, arsimore, shëndetësore, të prodhimit, të shërbimeve, tregtisë, kudoqoftë është ndihmesë jashtëzakonisht e madhe për komunën e Mitrovicës. Përtej kësaj, përveç që do të jetë një qendër që do të ofrojë shërbime qytetarëve të regjionit të Mitrovicës, duke i tejkaluar përmasat e komunës, që do t’ua kursej kohën, koston, do të jap shërbime të nivelit dhe cilësisë botërore. Kjo qendër do të punësojë njerëz, do të krijojë vende pune, dhe normalisht që do të kontribuojë edhe në zhvillimin ekonomik të komunës së Mitrovicës”, theksoi Hamza.

Në anën tjetër, Fatmir Sejdiu, drejtori i Olive Medical, ka falënderuar të pranishmit për prezencën, sidomos stafin, duke thënë se pa kontributin e tyre Olive nuk do të ishte kjo që është sot.

Sejdiu: Pa stafin Olive nuk do të ishte kjo që është 

“Ju falënderoj të gjithë për pjesëmarrjen, i falënderoj të gjithë stafin e Olive-s për kontributin e dhënë, pa të cilin Olive nuk do të kishte qenë kjo që është”, u shpreh drejtori Sejdiu.

Në këtë ceremoni foli edhe doktori më i vjetër në Mitrovicë, Musa Myftari, i cili tha veç tjerash se Mitrovica ka pasur investime deri tani në shëndetësi, por jo të këtij niveli asnjëherë.

“Ky është një investim kolosal jo vetëm për Mitrovicën dhe regjionin, por edhe për kriterijumet e Kosovës”, tha Myftari.

Ndryshe, Olive Medical është laborator i vetëm në Kosovë i akredituar nga Drejtoria e Akreditimit të Kosovës (DKA) sipas standardeve ISO 15189.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat