​Rinovimet për efiçiencë, inaugurohet renovimi i një prej ndërtesave në Mitrovicë

Mitrovica

​Rinovimet për efiçiencë, inaugurohet renovimi i një prej ndërtesave në Mitrovicë

Më: 24 maj 2022 Në ora: 18:21
Foto ilustrim

Një delegacion i MCC-së nga Uashingtoni, i kryesuar nga zëvendëspresidentja Alicia Mandaville ka vizituar sot në Mitrovicë një prej ndërtesave ku do të nisin punimet për rinovimin me masa të eficiencës së energjisë, si pjesë e projektit të MFK-së dhe MCC-së, SEEK/AER.

Me këtë rast, Bedri Hamza, kryetar i Mitrovicës, duke falënderuar popullin dhe qeverinë amerikane, u shpreh i lumtur për prezencën e zëvendëspresidentes së MCC-së Alicia Mandaville, ekipit të saj dhe kontributit të tyre të vazhdueshëm në të gjitha sferat.

Sipas tij, ky projekt përveç që do të zbukurojë qytetin, do t’u mundësojë qytetarëve edhe kursim të energjisë elektrike.

Hamza: Projekti mundëson të kemi kursim të energjisë elektrike

“Dëshiroj t’i falënderoj popullin amerikan, qeverinë amerikane, MCC-në, për kontributin e vazhdueshëm në të gjitha sferat për zhvillimin e Kosovës, me theks të veçantë në zhvillimin ekonomik. Ne e dimë që sot energjia është temë gjithandej, shohim se është mungesë e energjisë elektrike, çmimet e energjisë kanë shkuar jashtëzakonisht lartë, dhe ky projekt mundëson që ne të kemi kursim të energjisë elektrike, eficiencë dhe prej kësaj përfitojnë qytetarët e Mitrovicës, banorët e këtyre ndërtesave, dhe normalisht kjo I kontribuon uljes së shpenzimeve dhe kostos për energji elektrike por e zbukuron edhe qytetin e Mitrovicës”, ka thënë Hamza. 

Alicia Phillips Mandaville, zëvendës president e MCC-së, ka thënë se rinovimi i burimeve të energjisë, si pjesë e projektit të MFK-së dhe MCC-së, do ta bëjë më të lehtë për qytetarët që t'i mbajnë shtëpitë e tyre të ngrohta. 

Mandaville: Rinovimi i burimeve të energjisë e bën më të lehtë që qytetarët t'i mbajnë shtëpitë e ngrohta

“Është dashur shumë punë për të arritur deri në këtë pikë dhe shumë pyetje se si të sigurohemi që në mes të një krize energjetike, dhe në mes të nevojave të individëve, të cilët mendojnë se si të ngrohin shtëpitë e tyre dhe mënyrën e përdorimit të energjisë që ata kanë. Ky rinovim i burimeve të energjisë do ta bëjë më të lehtë për ta që t'i mbajnë shtëpitë e tyre të ngrohta, dhe unë në fakt i ndjej përfitimet, janë edhe të dukshme për t'u parë gjithashtu. Është bërë shumë punë deri më sot për të identifikuar shtëpinë, për të identifikuar burimin e materialeve në Kosovë, për t'u siguruar që ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo është dita që ne ua dorëzojmë projektin njerëzve, për të filluar punën, për të filluar ndërtimin. në mënyrë që të shohim rinovimin e burimeve të energjisë kur moti të ndryshojë përsëri”, ka thënë Mandaville.

Ndryshe, zëvendëspresidentja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit(MCC), Alicia Mandaville, nga data 22-24 maj po qëndron për vizitë në Kosovë. Ajo dje ka parë nga afër implementimin e projekteve të mbështetura nga kjo korporatë edhe në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës.

Përfaqësues të MCC-së dje kanë marrë pjesë edhe në një aktivitet tjetër në Prishtinë me rastin përfundimit të programit 5-vjeçar “Gratë në Energji”, program ky që po kontribuon drejt kapërcimit të hendekut të madh gjinor në sektorin e energjisë në Kosovë. 

Gjatë vizitës në Kosovë, delegacioni i MCC-së, ka vizituar edhe një familje në lagjen “Bregu i Diellit”, për të parë më afër instalimin e matësve të ngrohjes si pjesë e modernizimit të sistemit lokal të ngrohjes, ku në kryeqytet do të instalohen 17.500 matës si pjesë e projektit Prishtina HeatSave.

AER implementohet në kuadër të Projektit 20.6 milionësh ‘Subvencione për Eficiencë të Energjisë’, që ka për qëllim të kontribuimit në zvogëlimin e konsumit të energjisë përmes stimujve financiarë në masa të eficiencës së energjisë. 

SEEK është pjesë e projektit “Peizazhi i Energjisë së Besueshme (RELP), mundësuar nga MCC, me qëllim të zvogëlimit të hendekut midis kërkesës dhe furnizimit me energji. Përmes tre pakove të intervenimit, SEEK synon të zvogëlojë konsumin e energjisë elektrike në sektorin e banimit duke pilotuar subvencione dhe stimulime të tjerë për ekonomitë familjare për të investuar në masa të efiçiencës së energjisë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat