​Krasniqi: Mitrovicës i duhet mbështetje më e madhe nga niveli qendror

Mitrovica

​Krasniqi: Mitrovicës i duhet mbështetje më e madhe nga niveli qendror

Më: 29 korrik 2022 Në ora: 17:28
Memli Krasniqi dhe Bedri Hamza

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi së bashku me bashkëpunëtorë, ka qëndruar sot në Mitrovicë, me ç’rast së bashku me kryetarin e kësaj komune, Bedri Hamza, kanë vizituar punimet në ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Koshtovë, pastaj asfaltimin e rrugëve në lagjen ‘Ilirida’ në Mitrovicë, si dhe renovimin e shkollës fillore ‘Eqrem Qabej’ në këtë qytet.

Krasniqi tha se ndjehet krenar me punën e kryetarit të Mitrovicës, Bedri Hamza, pasi që këtu shihet modeli qeverisës i cili në fokus ka qytetarët.

Sipas tij, vërehet mungesë e mbështetjes nga ana e qeverisë qendrore, andaj ka apeluar që qeveria të bashkëpunojë më shumë me komunat në këtë drejtim.

Krasniqi: Në Mitrovicë vërehet mungesa e mbështetjes nga Qeveria

“E them me bindje të plotë se si kryetar i PDK-së ndihem në mënyrë të veçantë krenar sepse këtu e shohim modelin qeverisës të PDK-së, modelin i cili në fokus ka qytetarët... Ajo që vlen të theksohet edhe në Mitrovicë është fakti se krejt këto projekte që po i shohim sot janë duke u bërë me vetëfinancim, me mjete vetanake të komunës dhe me donacionet të cilat Hamza ka arritur t’i thithë nga donatorë të shumtë ndërkombëtarë, por vërehet një mungesë e mbështetjes nga ana e qeverisë qendrore”, ka thënë Krasniqi.

Edhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, tha se Komuna e Mitrovicës është duke investuar në projekte të rëndësishme që ndryshojnë dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Ai theksoi se pret mbështetje më të madhe nga niveli qendror.

Hamza: Kemi nevojë për përkrahje më të madhe nga niveli qendror

“Realisht jemi duke investuar në projekte të rëndësishme që ndryshojnë dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve të Mitrovicës, jemi në dinamikën e realizimit të punimeve... Pres përkrahje edhe më të madhe në të ardhmen për shkak se ka nevojë për mbështetje më të madhe prej nivelit qendror”, theksoi Hamza.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat