​Në Mitrovicë inaugurohet SNMSF, brezi frekuencor nga sot mbrohet nga shteti

Mitrovica

​Në Mitrovicë inaugurohet SNMSF, brezi frekuencor nga sot mbrohet nga shteti

Më: 19 shtator 2022 Në ora: 15:01
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti së bashku me bashkëpunëtorë, ka marrë pjesë në inaugurimin e Sistemit Nacional për Monitorim të Spektrit Frekuencor (SNMSF) që u mbajt sot në Mitrovicë. Kurti aty tha se ky sistem do të mundësojë monitorimin e shfrytëzimit të resurseve frekuencore, identifikimin dhe zbulimin e burimeve të interferencave, ngritjen e nivelit të sigurisë nacionale, si dhe nxënien e brezave të caktuara frekuencore në tërë territorin e Kosovës.

Sipas tij, zhvillimet në digjitalizim duhet të shoqërohen me masat përkatëse për rritjen e sigurisë të rrjeteve dhe sistemeve, prandaj qeveria e Kosovës i kushton rëndësi të vecantë sigurisë kibernetike.

Kurti: Tashmë edhe Kosova ka një sistem të tillë me teknologji të avansuar

“Tashmë edhe Kosova ka një sistem të tillë me teknologji të avansuar, përmes të cilit do t’i mundësohet autoritetit rregullativ të komunikimeve elektronike dhe postare ARKEP-it, monitorimi më efikas I tërë spektrit frekuencor në tërë Republikën e Kosovës… Sistemi Nacional për Monitorim të Spektrit Frekuencor do të mundësojë monitorimin e shfrytëzimit të resurseve frekuencore, identifikimin dhe zbulimin e burimeve të interferencave, ngritjen e nivelit të sigurisë nacionale, nxënien e brezave të caktuara frekuencore në tërë territorin e Kosovës, që njëherësh janë conform obligimeve ndërkombëtare të cilat ika vendi ynë.… Infrastruktura digjitale është një nga parakushtet për digjitalizimin që e synojmë në qeveri dhe ekonomi. Zhvillimet në digjitalizim duhet të shoqërohen me masat përkatëse për rritjen e sigurisë të rrjeteve dhe sistemeve, prandaj qeveria e Kosovës I kushton rëndësi të vecantë sigurisë kibernetike si nga aspekti I politikbërjes poashtu edhe ndërmarrjes së masave konkrete që I adresojnë rreziqet për sigurinë tonë kibernetike”, ka thënë Kurti.

Ai ka falënderuar në mënyrë të vecantë Bankën Botërore, për mbështetjen e parezervë për institucionet e vendit, si dhe Kompaninë amerikane TCI - International, e cila ishte zbatuese e këtij projekti.

Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, duke u shprehur e lumtur për inaugurimin e sistemit të sotëm, tha se kjo do të mundësojë përvec shfrytëzimit të brezit frekuencor, edhe mbrojtjen e tij nga ana shtetit.

Rizvanolli: Brezi frekuencor nga sot mbrohet nga shteti

“Kosova ishte ndër vendet e fundit në Evropë që nuk e kishte një sistem të tillë për monitorim të frekuencave shtatë ditë në javë, 24 orë në ditë. Jam shumë e lumtur që prej sot kjo ndryshon, dhe që inaugurimi i këtij sistemi po bëhet pikërisht në Mitrovicë. .. Ky sistem që po inaugurojmë sot do të mundësojë që si çdo pasuri tjetër e Republikës së Kosovës, edhe brezi frekuencor jo vetëm të shfrytëzohet, por edhe të mbrohet nga shteti”, theksoi ministrja Rizvanolli.

Ministri I Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, tha se Kosova sot përballet me një mori rreziqesh e kërcënimesh në sektorin e sigurisë, andaj kujdesi dhe rendi për sigurinë publike mbetet një nga prioritetet e qeverisë së Kosovës.

Sveçla: Kujdesi dhe rendi për sigurinë publike mbetet një nga prioritetet e Qeverisë

“Jam i nderuar që jam pjesë e kësaj ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme për Republikën e Kosovës, e cila sot përballet me një mori rreziqesh kërcënimesh e sfidash në sektorin e sigurisë, prandaj kujdesi dhe rendi për sigurinë publike mbetet një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. .. Në një ambient të sigurtë në secilën sferë do të ketë mirëfunksionim të të gjitha institucioneve pa asnjë dallim në tërë territorin e Republikës”, u shpreh Sveçla.

Ndërkaq, Nazim Rahimi, kryetar i bordit të ARKEP, bëri të ditur se ky system përmban teknologjinë më të re në fushën e frekuentimit frekuencor dhe do të jetë në dispozicion jo vetëm të ARKEP-it, por edhe të institucioneve tjera të vendit, sic janë ato të sigurisë dhe emergjencave.

Në anën tjetër, Massimiliano Paolucci, drejtor i zyrës së Bankës Botërore për Kosovën, tha se për Bankën Botërore, dixhitalizimi është një nga prioritetet kryesore për punën e tyre në Kosovë.

Paolucci: Investoni në dixhitalizim

“Pa përparim të konsiderueshëm në këtë fushë, ne nuk do të mund të shihnim përparim në të ardhmen, dhe zhvillim njerëzor në fushën e konkurrencës, kështu që investoni në dixhitalizim, që do të thotë se aftësitë harduerike dhe softuerike janë kyçe për ne dhe është një synim i qartë në axhendën tonë aktuale dhe të ardhshme. Pra, ne jemi shumë krenarë që kemi kontribuar në pajisjen e Kosovës me këto elemente të rëndësishme për të mundësuar përparimin në agjendën dixhitale“, ka thënë ai.

Nicol Klingen, përgjegjëse e Bankës Botërore për Evropën lindore dhe Azinë qendrore, tha se zhvillimi dixhital është bërë universalisht i rëndësishëm dhe shumë urgjent.

Klingen: Për teknologjinë e avansuar keni nevojë për një qasje produktive dhe moderne ndaj monitorimit

“Më vjen mirë të shoh që Kosova nuk ka ngecur aspak, ju jeni mjaft të avancuar. Ju keni bërë kaq shumë politika në fushën dixhitale dhe është vërtet bukur të jesh këtu sot, të shohësh ambiciet e juaja dhe madje të dëshironi të shkoni më tej, gjë që është fantastike. Zbatimi i ambicieve dhe i vullnetit tuaj do të kërkojë teknologji dhe infrastrukturë inovative, të tilla si 5G, kam dëgjuar 5G përmes përkthimit disa herë sot, për të mundësuar ato teknologji, keni nevojë për një qasje produktive dhe moderne ndaj monitorimit. Dhe kjo është ajo që ne po dëshmojmë sot“, tha ajo.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat