Gashi: Veton Elshani po shëron me dinjitet plagët e së kaluarës

Mitrovica

Gashi: Veton Elshani po shëron me dinjitet plagët e së kaluarës

Nga: Bota sot Më: 24 maj 2025 Në ora: 22:24
Veton Elshani, Katarina Ađančić

Opinionisti Lirim Gashi ka thënë se Veton Elshani është duke i shëruar me dinjitet plagët e së kaluarës, duke qenë një figurë e rrallë që përfaqëson profesionalizmin, humanizmin dhe ndjeshmërinë në një mjedis të brishtë si Mitrovica e Veriut.

Ai thekson se Elshani nuk është vetëm një zyrtar policor, por një urë mes komuniteteve, një zë i shtetit që flet me zemër, dhe një simbol i Kosovës që po rritet jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në karakter moral dhe qytetar.

Postimi i plotë:

Emri Veton Elshani është bërë sinonim i cilësisë në aspektin profesional e njerëzor – këtë e dëgjoj shpesh nga shumë miq serbë nga Mitrovica e Veriut, ku komuniteti serb përbën shumicën.

Në gjuhën e thjeshtë popullore, kjo do të thotë se zëdhënësi kryesor i Policisë së Kosovës, përmes sjelljes së tij të butë, profesionale, humane, mirëkuptuese, paqedashëse dhe të drejtë ka treguar një ndjeshmëri të jashtëzakonshme ndaj halleve të qytetarëve serbë në Mitrovicën e Veriut. Kjo ka bërë që zëvendësja e Kryebashkiakut të kësaj komune, zonja Katarina Nina Ađančić, të vendosë ta shpërblejë atë për angazhimin e tij të jashtëzakonshëm dhe kuptimplotë për zgjidhjen e problemeve të serbëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve lokalë, duke e nderuar me çmimin e Qytetarit të Nderit të qytetit.

Ky duhet të shpallet si lajmi më i bukur i vitit, sepse edhe vetë Katarina është një zonjë fisnike, e cila për të arritur aty ku është sot – në aspektin njerëzor, intelektual, kulturor dhe politik – ka kaluar një katarsis të thellë shpirtëror, pasi e ka kuptuar se sa të rremë, kriminalë, të dhunshëm, hajdutë dhe përçmues janë ndaj serbëve lokalë drejtuesit e Listës terroriste Serbe.

Veton Elshani – Zëri i Shtetit që Flet me Zemër, jo me Fshesë Gome

Ka njerëz që flasin me megafon, por nuk dëgjohen kurrë. Dhe ka të tjerë që flasin me zemër, e dëgjohen deri në ndërgjegjen e atyre që s'duan të dëgjojnë. Një i tillë është Veton Elshani – fytyra, zëri dhe ndjeshmëria e një Kosove që po rritet, jo vetëm me infrastrukturë, por me karakter.

Miqtë e mi serbë nga Mitrovica e Veriut – ata që janë mësuar të jetojnë në mjegullën e frikës dhe propagandës – e përmendin me respekt emrin e tij. Nuk është vetëm një zyrtar i policisë. Është ura që shkon mbi lumin e keqkuptimeve. Është fjala që shëron plagët që plumbat i lanë hapur. Dhe kur zëvendëskryetarja e Mitrovicës së Veriut, znj. Katarina Nina Ađančić, ia dorëzon atij titullin “Qytetar Nderi”, nuk ia jep atë vetëm një polici profesional – ia jep një epoke të re që po lind në heshtje.

Pse është ky lajm kaq i rëndësishëm ?

Sepse historia e Kosovës nuk është vetëm kronologji ngjarjesh, por duel ndërmjet dy frymëmarrjeve: asaj që shtyp, dhe asaj që shpreson. Policia e Kosovës, përmes drejtësisë, profesionalizmit dhe humanizmit po dëshmohet si gardiane e drejtësisë, jo si kujtim i frikës. Ajo nuk është si policia e Slobodan Millosheviqit, që s’e ruante ligjin, por e ndihmonte shfarosjen e shqiptarëve me armë, uniformë dhe urrejtje.

Filozofi Epikteti thoshte: “Askush nuk është i lirë nëse nuk është zot i vetvetes.” – E kjo vlen për shtetin po aq sa për individin. Një shtet që e lejon urrejtjen të diktojë sjelljen e policisë ndaj një pakice, nuk është zot i vetes – është peng i hakmarrjes.

Martin Luther King thoshte: “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.” – Por Veton Elshani dhe kolegët si ai e kuptojnë që drejtësia e duhur s’mund të vijë përmes shkopit të gomës, por përmes mendjes, durimit dhe humanizmit.

Gandi thoshte: “Fuqia që buron nga dhuna është e përkohshme; ajo që buron nga ndershmëria është e përjetshme.” – E pikërisht kjo është ajo që po ndodh në Mitrovicën e Veriut: një përballje e heshtur ndërmjet trashëgimisë së dhunës dhe forcës së mirësisë.

Elshani nuk ka ndryshuar vetëm mënyrën se si serbët e shohin një polic shqiptar – ai po ndihmon që Kosova të ndryshojë mënyrën se si e sheh vetveten dhe se si e shohin të tjerët. E në një botë ku shpesh urrejtja është më e zhurmshme se dhembshuria, ai po na mëson se siguria nuk matet me numrin e arrestimeve, por me ndjesinë e drejtësisë që ndjen edhe më i dobëti.

Kosova e nesërme nuk do të matet me kilometra autostrade, por me kilometrat që kemi lënë pas nga urrejtja tek mirëkuptimi. Dhe në atë rrugëtim, njerëzit si Veton Elshani janë sinjalistët më të besueshëm që kemi.

Sepse vetëm ai që nuk e përsërit mizorinë që vetë e ka vuajtur, është vërtet i lirë. Dhe vetëm një shtet që nuk ushqen hakmarrjen, është vërtet sovran.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat