Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” SH.A. po vazhdon intensivisht me shkyçjen e konsumatorëve që nuk kanë përmbushur obligimet financiare, nuk i janë përmbajtur marrëveshjeve për pagesë me këste, si dhe veçanërisht atyre që janë kyçur në mënyrë ilegale apo po keqpërdorin ujin.
Kështu u bë e ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook nga kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”.
Tutje bëhet e ditur se ky aktivitet është vazhdimësi e angazhimit me qëllim përmirësimin e shërbimeve për të gjithë konsumatorët.
“Të gjitha kyçjet ilegale dhe konsumatorët me borxhe do të përballen me masa të rrepta, përfshirë: Shkyçje nga rrjeti, procedura ligjore për rikuperimin e borxhit, tarifa shtesë për shkyçje dhe rikyçje në sistem”, thuhet në njoftim.
Po ashtu nga kompania kanë ftuar të gjithë konsumatorët me obligime të papaguara që të kryejnë pagesat ose të paraqiten në zyrat tona për të lidhur marrëveshje për pagesë me këste.