Agim Bahtiri del para Gjyqit, deklarohet i pafajshëm

Mitrovica

Agim Bahtiri del para Gjyqit, deklarohet i pafajshëm

Më: 15 korrik 2016 Në ora: 11:50
Agim Bahtiri

(E plotësuar) - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, u deklarua i pafajshëm sot para Gjykatës Themelore të Mitrovicës në Vushtrri, për akuzën që i vihet në barrë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Të pafajshëm u deklaruan edhe dy të dyshuarit tjerë në këtë proces, Haxhimet Ferati, shef i prokurimit në Mitrovicë dhe Gazmend Kelmendi, drejtor për Kosovë i operatorit nga Danimarka ‘Hesalight’, në lidhje me veprat keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe marrëveshje për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender.

 
Kryetari Bahtiri gjatë fjalës së tij ka potencuar se ky është  gjykim politik kundër tij.
 
Ai tha se komunës së Mitrovicës i ka sjellë përfitim prej 2.4 milionë euro dhe se nuk e ka dëmtuar asnjë centë komunën.

Bahtiri: Ky është gjyq politik

“Ky është gjyq politik dhe nuk ka të bëjë me atë çka tha prokurori… Vetëm pak nëse më lejohet, nëse jo po ulem… Absolut nuk e pranoj, sepse unë ia kam sjell 2.4 milionë komunës dhe jo me shpenzu. Asnjë centë i komunës nuk është shpenzuar dhe asnjë centë nuk ka me u shpenzu deri sa të jem unë kryetar”, ka thënë Bahtiri.

Ndërkaq, prokurori i Prokurorisë Speciale, Agron Bajrami, kërkoi që kryetari i Mitrovicës dhe dy të akuzuarit tjerë të shpallen fajtor, pasi që me provat që gjenden në shkresat e lëndës do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve.

“Prokuroria ka pasur prova të mjaftueshme për ta mbështetur dyshimin e bazuar mirë në kod për ngritje të aktakuzës, po ashtu ato prova gjatë shqyrtimit gjyqësor do ta vërtetojnë gjendjen faktike si në aktakuzë, më saktë do të vërtetojnë fajësinë e tani të akuzuarve”, potencoi prokurori Bajrami.

Në anën tjetër, Mahmut Halimi, avokat i të dyshuarit për vepër penale Agim Bahtiri, tha se ky është vetëm një qëllim politik i inicuar nga dega e PDK-së në Mitrovicë, sa për ta dëmtuar figurën e kryetarit Bahtiri.
 
Halimi: PDK-ja e ka iniciuar rastin

“Ne e dimë shumë mirë se kush e ka inicuar procedurën në këtë çështje, kush e ka bërë të madhe, kush ju ka dhënë mediave të dhënat shumë të rrejshme… Po PDK-ja dega e Mitrovicës… Është thjeshtë një qëllim i fundit politik për t’i shkaktuar dëm politik Agim Bahtirit dhe asgjë tjetër”, theksoi Halimi.
 
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës para katër muajsh ka ngritur aktakuzë ndaj kryetari të Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe dy zyrtareve tjerë të lartpërmendur, ndaj të cilëve ekziston dyshimi i bazuar se duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorë detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit me rastin e lidhjes së një kontrate në mes të autoritetit kontraktues, Komunës së Mitrovicës dhe Operatorit Ekonomik “HESALIGHT A/S me çmimin prej 767.940.00 €, kanë zbatuar procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, në kundërshtim me dispozitat ligjore të përcaktuara në Ligjin për Prokurim Publik, me qëllim që të pandehurit t’i sjellin vetes apo tjetrit përfitim të kundërligjshëm, duke i shkaktuar dëm në shkallë të madhe Komunës së Mitrovicës, gjegjësisht buxhetit të Republikës së Kosovës.

Andaj, thuhet më tej në aktakuzë, me këto veprime të pandehurit A.B. dhe H.F. në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 par. 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa i pandehuri G.K. ka kryer veprën penale: Marrëveshje për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender, nga neni 309 par. 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Bahtiri deklarohet i pafajshëm, gjykimin e konsideron politik

Sot u mbajt seanca e dytë kundër kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe dy zyrtarëve tjerë, Haxhimet Ferat, zyrtar kryesor i prokurimit në Mitrovicë dhe Gazmend Kelmendi, drejtori i kompanisë daneze Hesalight për Kosovë, të cilët dyshohen për veprat penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrëveshje për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender.

Me këtë rast kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, u deklarua i pafajshëm dhe tha se ky është gjykim politik. I pari i Mitrovicës tha se komunës së Mitrovicës tha se komunës së Mitrovicës ia ka sjellë 2.4 milionë dhe nuk e ka dëmtuar dhe nuk do ta dëmtoj asnjë cent.

Edhe dy të akuzuarit tjerë, Haxhimet Ferati dhe Gazmend Kelmendi, u deklaruan të pafajshëm.

Ndërsa, avokati i Bahtiri, Mahmut Halimi tha se prokurori në vend se ta mbaj shpatën e drejtësisë, ai e ka zgjedhur grepin e politikës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat