KFOR-i do të vazhdoj të mbështes përpjekjet për siguri të plotë në qytetin e Mitrovicës

Mitrovica

KFOR-i do të vazhdoj të mbështes përpjekjet për siguri të plotë në qytetin e Mitrovicës

Më: 17 gusht 2016 Në ora: 14:59
Foto nga takimi

Situata e sigurisë në Mitrovicë pas fillimit të punëve për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe informimi i ndërsjellë për aktivitetet që janë ndërmarrë dhe që do të ndërmerren në të ardhmen, kanë qenë temë e bisedës ndërmjet kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri dhe komandantit të Detashmentit të Përbashkët Rajonal Veri (JRD-N), të ushtarëve të KFOR-it, me seli në Magjunaj të Vushtrrisë, kolonelit Fluhmann Reto-Ulrich dhe komandantit të Njësisë së karabinierëve italian (MSU), kolonelit Paolo Coletta, që është zhvilluar në kabinetin e kryetarit Bahtiri.

Fillimisht mysafirët i dorëzuan kryetarit Bahtiri ftesën e komandantit të KFOPR-it, gjeneralit Guglielmo Miglieta për pjesëmarrje në eventin  që do të organizohet me rastin e përfundimit të misionit të tij në Kosovë dhe më pastaj e përgëzuan atë dhe qytetarët e Mitrovicës për fillimin e punëve për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër.

Kryetari Bahtiri tha se fillimi i punëve për rivitalizimin e urës mbi Ibër dhe hapjen e saj të plotë për qarkullim të njerëzve dhe automjeteve, është rezultat para së gjithash i vet qytetarëve të Mitrovicës në të dyja anët e lumit dhe më pastaj i të gjithë faktorëve politik e të sigurisë, duke përfshi këtu edhe ushtarët e KFOR-it dhe karabinierët italianë, që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për të ndodhë kjo.

Ai tha se ishte shumë i padrejtë barrikadimi i urës, që ishte bërë nga ekstremistët serbë, sepse kjo nuk ishte kërkesë as e qytetarëve shqiptarë, as e serbëve dhe as e të tjerëve. Përkundrazi, kërkesë e këtyre qytetarëve ishte që të lëvizin lirshëm këmbë dhe me automjete nëpër urë, misioni i së cilës është ofrimi i njerëzve e jo ndarja e tyre.

“Unë dhe institucionet e pushtetit lokal kemi punuar shumë me qytetarë që të kenë durim dhe maturi, sepse ishim të bindur se do të vjen dita kur ura do të hapet dhe fatmirësisht, kjo ditë ishte e diela e kaluar. Unë i falënderoj shumë qytetarët e të gjitha përkatësive etnike që na dëgjuan dhe nuk bënë incidente. Falënderoj po ashtu edhe të gjithë faktorët tjerë, vendorë e ndërkombëtarë, politike e të sigurisë, ët rendit e qetësisë, që dhanë kontribut për të mundësuar largimin e barrikadës, fillimin e rivitalizimit të  urës dhe hapjen e saj të plotë për lëvizje e qarkullim të lirë të qytetarëve dhe automjeteve”, tha kryetari Bahtiri.

Të dy kolonelët, vlerësuan larët angazhimin e kryetarit Bahtiri dhe sjelljen e qytetarëve në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në qytetin e Mitrovicës dhe bashkëpunimin e tij me përfaqësuesit e komunës legale në veri dhe të qytetarëve të të dyja komunave. Ata i thanë kryetarit Bahtiri, se ka filluar ripozicionimi i ushtarëve të KFOR-it dhe karabinierëve italianë përreth urës kryesore mbi Ibër, por edhe në të dyja pjesët e qytetit.

“Tani, meqë punimet filluan në pjesën jugore të urës, kemi vlerësuar se ushtarët e KFOR-it, karabinierët dhe policët, është më mirë të kalojnë në cepin verior të urës. Nuk do të zvogëlohet, por për momentin as nuk do të shtohet numri i tyre. Do të ketë më pak prani statike e më shumë mobile lëvizëse, por do të jenë patrulla më efikase e më ët gatshme për intervenim në rast nevoje”, thanë ata.

Kryetari Bahtiri  edhe  në këtë takim i siguroi përfaqësuesit e KFOR-it dhe të karabinierëve italian, se do të jetë bashkëpunues me të gjithë edhe në të ardhmen dhe shumë më i angazhuar me të gjitha institucionet e pushtetit lokal, që të ruaj e madje dhe përmirësoj akoma situatën e sigurisë, paqen dhe rendin e qetësinë, duke kërkuar njëkohësisht që të vazhdoj mbështetja e tyre dhe faktorëve tjerë edhe në të ardhmen  në këtë drejtim.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat