Komuna e Mitrovicës ka mbështetur 40 fermerë me teknikë mjelëse të qumështit në vlerë prej 6 mijë e 500 euro, investim ky nga granti komunal me 77 për qind dhe me participim të fermerëve 23 për qind.
Me rastin e nënshkrimit të kontratave, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, u shpreh i sigurt që do vazhdohet edhe më tutje që t’i kushtohet angazhim i veçantë sektorit të bujqësisë.
“Ndihem i kënaqur që sot gjendem në mesin tuaj, ku po shoh shumë të rijnë të cilët janë të përkushtuar të punojnë edhe në fushën e bujqësisë. Besoj se dhënia e këtyre makinave do t’ju lehtësojë punën tuaj të përditshme, në ngritjen e kapaciteteve të përgjithshme në punën tuaj. Komuna e Mitrovicës me Drejtorinë e Bujqësisë është fokusuar në mbështetje të të gjithë fermerëve në sektorët e bujqësisë, në blegtori, vreshtari, pemëtari dhe bletari. Të gjitha shumat e granteve të Komunës dhe donacionet nga donatorët, komuna është angazhuar që bashkërisht me ju, t’i ndajë ato në mënyrë proporcionale që këto fonde të jenë sa më gjithëpërfshirëse“, ka thënë Bahtiri .
Drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik, Nasuf Aliu, tha se një ndër prioritetet e ekzekutivit komunal vazhdimisht ka qenë investimi ne sektorin e bujqësisë, sidomos përkrahja e fermerëve sipas mundësive buxhetore, me qëllim të ngritjes së kualitetit e kredibilitetit të prodhimeve.
“Këto pajisje janë për lehtësimin e punëve ne fermat e juaja dhe rritjen e prodhimit te qumështit, përmirësimin e kualitetit të qumështit si një sektor i rëndësishëm për komunën tonë”, theksoi Aliu.
Ndryshe, në kuadër të projektit për blegtori, drejtoria e Bujqësisë do të realizojë edhe një projekt madhor të rëndësishëm i cili parasheh mbështetjen dhe themelimin e pikave grumbulluese të qumështit, me theks të veçantë ne rajonin e Shalës së Bajgorës.