Sadije Sadiku bëhet me shtëpi të re nga bamirësit

Mitrovica

Sadije Sadiku bëhet me shtëpi të re nga bamirësit

Më: 20 gusht 2016 Në ora: 16:08
Sadije Sadiku bëhet me shtëpi të re

Sadije Sadiku, vajza nga Zhabari që ishte plagosur nga kriminelët serbë gjatë luftës në Zabllaq të Istogut dhe që atëherë ka mbetur e paralizuar, është bërë me shtëpi të re, të ndërtuar me mjete të grumbulluara nga Shoqata “Albanor”, me seli në qytetin Hallden të Norvegjisë, e ndihmuar nga komuna e Mitrovicës.

Kryetari i komunës, Agim bahtiri dhe kryetari i Shoqatës “Albanor”, Mexhit Merovci, ia kanë dorëzuar të shtunën çelësat e shtëpisë së re, me hapësirë prej 65 metrash katrorë, të rregulluar mirë dhe të pajisur me të gjitha orenditë dhe elementet e nevojshme të amvisërisë, Sadijes, në fshatin e lindjes në Zhabar. I tërë investimi për ndërtimin e shtëpisë, ka kushtuar rreth 20.000 euro.

Sadija tha me rastin e pranimit të çelësave, se është kjo dita më e gëzuar dhe e lumtur në jetën e saj. “Nuk kisha shpresuar se një ditë do të kem shtëpinë time. Por, ja ndodhi edhe kjo, falë Shoqatës “Albanor” dhe kryetarit të saj, Mexhit Merovci, që  më kishin përzgjedhur mua për të më ndërtuar shtëpinë, andaj edhe i falënderoj shumë dhe do u jem mirënjohëse gjithmonë. Natyrisht se patjetër duhet falënderuar edhe kryetarin e komunës, Agim Bahtiri i cili e ka mirëpritur iniciativën e Merovcit dhe ka kontribuar edhe materialisht nga buxheti i komunës”, tha Sadija.

Ajo tregoi edhe me këtë rast, se si është plagosur nga snajperistët serbë më 6.05.1999 në Zabllaq të Istogut, ku policia serbe i kishte detyrua të qëndrojnë gjatë përndjekjes për në Shqipëri, bashkë edhe me disa persona të tjerë shqiptarë.

“Plumbi më qëlloi në boshtin kurrizor dhe më ka paralizua. Kam qenë për shërim në Itali, Gjermani dhe Holandë, por është konstatuar se nuk mund të shkeli më këmbë. Megjithëkëtë pas trajtimit mjekësor ndjehem më mirë dhe tani në këtë gjendje që jam në karrocë, mund të përkujdesem për vete, pa ndihmën e askujt. Tash kur e kam edhe shtëpinë time jam shumë e lumtur dhe besoj se do të kem një jetë normale”, tha ajo.

Shumë i gëzuar për shtëpinë e dorëzuar në shfrytëzim ishte edhe babai i Sadijes, Jahir Sadiku. Ai falënderoj shumë kryetarin e komunës Agim Bahtiri dhe kryetarin e Shoqatës “Albanor”, për këtë donacion shumë të   çmueshëm, që siç tha, e ka bërë të lumtur vajzën e tij, por edhe të gjithë familjarët e saj, pasi që ajo tani e tutje do të ketë një jetë më me pak brenga.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha se ndjehet jashtëzakonisht mirë që Sadija u bë me shtëpi të re, andaj edhe shfrytëzoj rastin të falënderoj Shoqatën “Albanor”, me në krye Mexhit Merovcin”, për këtë donacion, ku Komuna kontribuoj me aq sa pati mundësi.

“Kjo shoqatë ka realizuar në Mitrovicë edhe tri projekte të këtilla, prandaj ne i jemi shumë mirënjohës  asaj dhe z. Merovci. Vërtetë jam i gëzuar që Sadija u bë me shtëpi të re dhe që tani e tutje do të ketë një jetë më të lehtë”, tha ai ndër të tjera.

Gëzimin e tij nuk mund ta fshihte as kryetari i “Albanorit”, Mexhit Merovci. “Jam tepër i lumtur dhe i gëzuar për realizimin e këtij projekti, sepse është i veçantë, apsi që po e bëjmë me shtëpi një vajzë të re, që po i vuan edhe sot pasojat e kriminelëve serbë. E gëzofsh shtëpinë dhe paç jetë sa më të gjatë e të lumtur Sadije”, tha Merovci.

Sipas tij, Shoqata “Albanor”, deri tash ka ndërtuar 38 shtëpi  për familje të ndryshme në nevojë, në Kosovë, Maqedoni, Preshevë e Bujanovc.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat