Ambasadori H.E. Alhaji Ibrahim Abass u prit nga kryetari Bahtiri

Mitrovica

Ambasadori H.E. Alhaji Ibrahim Abass u prit nga kryetari Bahtiri

Më: 25 nëntor 2016 Në ora: 16:52
Agim Bahtiri dhe Ambasadori Abass

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka pritur ambasadorin e Republikës së Ganës në Turqi, i akredituar edhe për Republikën e Kosovës, H.E. Alhaji Ibrahim Abass, që shoqërohej nga konsulli i nderit i Republikës së Ganës në Kosovë, Valon Lluka, të cilën e ka njoftuar me gjendjen aktuale në komunë. 

Kryetari Bahtiri i tha ambasadorit Abass se ndjen kënaqësi të posaçme që takon   ambasadorin e shtetit mik të Kosovës, republikën e Ganës, e cila e ka njohur  shtetin e Kosovës, duke e falënderuar njëkohësisht për kontributin e dhënë dhe për raportet e mira që po kultivon me Kosovën.

Në vazhdim kryetari Bahtiri i tha ambasadorit Abass se Mitrovica nga një qytet problematik është shndërruar në një qytet normal, ku situata është stabilizuar plotësisht, ku siguria është në nivel,  me lëvizje e qarkullim të lirë të njerëzve dhe automjeteve në të dyja drejtimet, pa incidente të rënda ndëretnike qytet në ët cilin krimi ka shënuar rënie drastike.

“Për të ardhur deri tek kjo gjendje na është deshtë të punojmë shumë dhe kemi punuar. Por meritat më të mëdha i kanë vet qytetarët e të gjitha përkatësive etnike, që nuk kanë lejuar të bien pre e provokimeve të atyre forcave që nuk ua duan të mirën as atyre e as qytetit. Tani po punojmë për zhvillimin ekonomik të qytetit. Kemi krijuar kushte të mira për biznese dhe interesimi i tyre për investime dhe punësim është shtuar dukshëm”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Ambasadori i Ganës në Turqi, i akredituar edhe për Kosovë, H.E. Alhaji Ibrahim Abass, tha  se Gana  me kënaqësi e ka njohur shtetin e Kosovës, sepse ka vlerësuar se kjo duhej të bëhet. Por, shtoi ai, kjo nuk mjafton, pasi që tani duhet të ecim përpara në punët tjera.

“Kosova dhe Gana duhet të zhvillojnë marrëdhënie të mira e miqësore  dhe për këtë kemi hapur Konsullatën e nderit në Kosovë. Kam vizituar disa qytete të Kosovës, duke përfshi këtu edhe Mitrovicën, për të mbledhur informata të nevojshme dhe kam vërejtur se këtu ka mundësi të mëdha për bashkëpunim”, tha ai. 

Ambasadori Abass i në vazhdim foli për  idenë e tij për organizimin e një forumi midis përfaqësuesve të bizneseve të Ganës dhe të Kosovës, për të identifikuar fushat se ku mund të bashkëpunohet sa më lehtë dhe sa më shpejt.

“Do të vijnë biznesmenë nga Gana në Kosovë për të biseduar me biznesmenët e këtushëm dhe për të nis bashkëpunimin. Do të jetë një mundësi e mirë për biznesmenët e Kosovës që përmes Ganës të depërtojnë në Afrikë”, tha ndër të tjera ai.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat