Vinarci festoi përurimin e rrugës së asfaltuar

Mitrovica

Vinarci festoi përurimin e rrugës së asfaltuar

Më: 27 nëntor 2016 Në ora: 15:30
Vinarci

Lagjet Ymeri dhe Hasani të fshatit Vinarc në luginën e Ibrit, kanë festuar me daulle përurimin e rrugës së asfaltuar që shpie në lagjet e tyre. Gëzimi i rreth 100 qytetarëve që kishin dalur për të pritur kryetarin e komunës Agim Bahtiri dhe bashkëpunëtorët e tij, ishte i pa përshkruar.

Plaku mbi të tetëdhjetë vjeçar, haxhi Sokol Hasani, tha se banorët e lagjeve kanë arsye të shumta për tu gëzuar e festuar sot. “Edhe pse nuk kemi qenë larg qytetit dhe afër lumit Ibër, deri tash kemi qenë të lënë pas dore nga pushteti, si ai i para luftës, ashtu edhe ky i pasluftës. Të zitë e ullirit e kemi parë për tu ngjitur deri në lagjet tona, sepse nga rruga kryesore deri këtu rruga ishte jashtëzakonisht e keqe. Vetëm me ardhjen në krye të komunës të kryetarit Agim Bahtiri, filluan të zgjidhen problemet tona, për të përfunduar me asfaltimin e rrugës, për çka e falënderojmë shumë”, tha ai.  

Image

Përfaqësuesi i lagjeve Gazmend Beshiri dhe banorët e lagjeve  Xhevat Beshiri e Iliriana Tahiri, u shprehën të jenë të kënaqur me realizimin e projektit nga ana e komunës dhe me punët e kryera nga Kompania “Xhyli Comerce”. Ata thanë se me investimet e bëra së fundi në këtë lagje, më askush nuk do të largohet nga aty. Përkundrazi, u shprehën të jenë të bindur se do të kthehen edhe ata që janë larguar më parë e që ende i kanë trojet dhe pronat në fshat.

“Me ardhjen në krye të komunës, të kryetarit Bahtiri, në lagjen tonë u investua më shumë se gjatë gjithë periodës së pas luftës së dytë botërore, pasi që përveç rrymës elektrike, asgjë tjetër nuk është investua këtu. Tani, brenda dy viteve të fundit, falë punës së mirë që ka bërë kryetari Bahtiri dhe mbajtjes së premtimit të dhënë, na është zgjidhur problemi i ujit, kanalizimit, i mbledhjes së mbeturinave dhe tash edhe ai kryesori, pra asfaltimi i rrugës. Komunës dhe kryetarit Bahtiri i jemi shumë mirënjohës”, tha studentja e stomatologjisë, Iliriana Tahiri.

Më i lumturi ndër ta ishte i riu me aftësi të kufizuara, Rrahim Ymeri. Ai kishte dalë me karrocën e tij për të festuar dhe marrë pjesë në përurimin e rrugës.

“Deri tash isha i mbyllur në shtëpi, sepse në mungesë të rrugës mund të lëvizja vetëm, brenda shtëpisë. Sot siç po e shihni, edha nga shtëpi vetë, duke kaluar 8.500 metra nëpër rrugën e asfaltuar, pasi që kryetari Bahtiri ma ka shtruar në asfalt edhe oborrin e shtëpisë. Vërtetë jam shumë i gëzuar dhe e falënderoj shumë”, tha ai. 

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ju tha vinarcasve se ndjehet tepër mirë që gjendet në mesin e tyre dhe që po i sheh ata të lumtur e të gëzuar në prag të festave të rëndësishme të 28 Nëntorit.

Image

“Komuna e ka për obligim që të zgjedh të gjitha problemet e qytetarëve dhe që atyre të ju krijoj kushte për një jetë sa më të mirë e cilësore. Unë sot jam po aq i gëzuar sa ju, kur po ju shoh juve që jeni të kënaqur shumë dhe që po i gëzoheni asfaltimit të rrugës. Ashtu sikur këtu që kemi përfunduar punët kryesore, po punojmë edhe në lagjet tjera të qytetit, periferisë e fshatrave. Për çdo ditë po përurojmë rrugë të reja, po ndërtojmë kanalizime dhe po realizojmë shumë  projekte tjera infrastrukturore, si deh projekte të tjera kapitale, siç është Zona industriale në Frashër”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Rruga e asfaltuar ka gjatësi prej 850 metrash. Gjerësia është katër metra, kurse trashësia e asfaltit tetë centimetra. Mjetet për asfaltimin e saj në vlerë prej 37.000 euro i ka sigurua komuna nga buxheti i saj. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat