Ura e Ibrit, ura që bashkon qytetin

Mitrovica

Ura e Ibrit, ura që bashkon qytetin

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 15:19
Përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës dhe të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot në Mitrovicë dhe kryetari i Mitrovices, Agim Bahtiri

Përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës dhe të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kanë qëndruar sot në Mitrovicë, ku edhe janë njohur për së afërmi me punimet rreth rivitalizimit të urës së Mitrovicës.

Ata janë shoqëruar edhe nga kryetari i kësaj komune Agim Bahtiri. Bahtiri, tha se punimet rreth rivitalizimit të urës do të përfundojnë gjatë këtij viti, ndërsa përurimi i urës do të bëhet në janar të vitit të ardhshëm. Ai tha se kjo urë nuk është kufiri serb,  por ura që bashkon qytetin.

“Përurimi i kësaj ure do të jetë në janar të vitit të ardhshëm, punët janë duke shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, nuk e kemi asnjë problem më të voglin që ekziston jemi të kënaqur me gjithë punët që po kryhen, jemi të kënaqur që edhe komuniteti shqiptar edhe serb po bashkohet qyteti njëherë e përgjithmonë, kjo është kënaqësia më e madhe e cila kemi mundur ne si politikanë edhe qendror edhe lokal të bëjmë për këtë vend që një herë e përgjithmonë t’iu thojmë që këtu nuk është kufiri serb por është një urë e cila e bashkon qytetin”, tha Bahtiri.

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme Elmi Reçica dhe  Pal Lekaj, përfaqësues të KDI-së, përfaqësues të dy komunave të Mitrovicës, asaj në jug dhe veri, si dhe shoqërisë civile, kanë mbajtur një tryezë diskutimi me temën “Dialogu Kosovë – Serbi, impakti në jetën e qytetarëve”.

Reçica, tha se ky është shembull konkret se gjërat të cilat janë konsideruar të pamundura mund të bëhen reale, si dhe sipas tij kjo urë e cila është konsideruar si urë e ndarjes tashmë është duke u bërë urë e komunikimit.

“Ky është një shembull konkret se gjërat të cilat para një kohe janë dukur të pamundura mund të bëhen reale dhe mund të jenë gjëra të cilat funksionojnë. Kjo urë ju e dini që ka qenë për një kohë të gjatë simbol i ndarjes dhe tash po shihet që është duke u bërë një urë e komunikimit. Të gjithë këndej dhe andej urës janë qytetarë të shtetit të Kosovës dhe ky shtet është shtet i cili i garanton të gjitha të drejtat dhe liritë edhe komuniteteve pakicë edhe komuniteteve tjera të cilët janë qytetarë të këtij vendi” , tha Reçica.

Ndërsa, Pal Lekaj tha se ura çdoherë ka bashkuar qytetarët dhe se sot kanë ardhur që të shohin ndikimin e marrëveshjes, dialogun që të shkojënë favor të qytetarëve dhe që të bëhet trajtimi i barabartë i qytetarëve. Lekaj shtoi se është obligim  që qytetarët të kenë një trajtim të barabartë.

“Jemi në tokën e Republikës së Kosovës edhe kjo urë ka një ndikim me veriun e Mitrovicës që të bashkohet me jugun e Mitrovicës, por që qytetarët të trajtohen paraprakisht dhe të ofrohen kah Prishtina. Jo nga Beogradi dhe këto ura çdoherë i kanë bashkuar qytetarët dhe me mesazh të tillë jemi këtu që të shohim impaktin e marrëveshjes, dialogun që shkon në favor të qytetarëve dhe marrëdhënieve të mira dhe trajtimi të barabartë të qytetarëve. Prandaj, edhe kjo urë është simbolike që Veriun e kthen kah Prishtina, kah qeveria e Prishtinës e jo nga Beogradi dhe kështu duhet të trajtohet por ne duhet të marrim obligim që qytetarët të trajtohen barabartë pa dallime”, tha Lekaj.

Ndërsa, i pyetur rreth dialogut deputeti Lekaj, tha se AAK çdoherë përkrah të mirën për qytetarët e Kosovës dhe se banorët e veriut të Mitrovicës janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe asnjëherë diçka tjetër.

“Ne si Aleancë gjithmonë i përkrahim të mirat e Kosovës i kundërshtojmë ato që na ndajnë në territore. Pra, çdo bashkim ne e përkrahim edhe çdo trajtim qytetarëve pa dallime ne do të jemi fuqishëm përkrahës edhe në këtë drejtim ne edhe sot jemi këtu me dhënë mesazhe të qarta se këta janë qytetarë të republikës së Kosovës dhe assesi diçka tjetër. Çdo bashkim është në atë kuptimin marrëveshja që e ofron territorin edhe e trajton barabrakisht territorin si hapësirë të republikës së Kosvës, normalisht që kjo përkrahet”, tha Lekaj.

Në këtë tryezë, u tha mes tjerash se qëllimi është që të promovohet bashkëbisedimi në mes të deputetëve dhe përfaqësueseve të shoqërisë civile, si dhe qytetarëve, lidhur me procesin e dialogut Kosovë – Serbi. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat