Për Pacollin president të AKR-së, po votohet edhe në Mitrovicë

Mitrovica

Për Pacollin president të AKR-së, po votohet edhe në Mitrovicë

Më: 20 shkurt 2017 Në ora: 15:21
Pamje nga votimet e AKR-së në Mitrovicë

Qytetarë, aktivistë dhe simpatizantë të Aleancës Kosova e Re (AKR), dega në Mitrovicë, sot nga mëngjesi i janë drejtuar kutisë së votimit për të shënjuar me Pro apo Kundër fletëvotimet për presidentin e AKR-së.

Procesi i votimit ka nisur nga ora 07:00 e mëngjesit të sotëm, dhe vendvotimet do të mbyllen në orën 19:00, me parimin një anëtarë një votë.

Behgjet Pacolli është kandidati i vetëm për president të partisë, të cilin sot anëtarësia dhe mbështetësit e AKR-së po e votojnë.

Kryetar i Komisionit komunal zgjedhor të AKR-së në Mitrovicë, Jeton Ujkani për KosovaPress ka vlerësuar se procesi zgjedhor po shkon mirë dhe kësisoj po vazhdohet edhe nëpër komuna tjera. Ai tha se AKR po fuqizohet me anëtarësi të re të cilët po e shohin AKR-në si të vetmen alternativë.

Ujkani tha se me këtë, AKR si parti liberale ka pasur vullnetin që të gjithë anëtarët apo simpatizuesit e saj të kenë mundësi të shprehën për presidentin e tyre, me idenë që të mos jetë një votim me aklamacion ashtu sikur ka ndodhur në tubimet e deritanishme.

Ujkani: Shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve ndaj presidentit dhe ndaj subjektit të AKR-së

“Prej këtyre zgjedhjeve ne presim një dalje të konsiderueshme, një shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve ndaj presidentit dhe ndaj subjektit të AKR-së. Ne në Mitrovicë jemi ristrukturuar edhe kemi krijuar struktura të mirëfillta që jemi të kënaqur me participimin e qytetarëve në të gjitha aktivitetet tona. Ne kemi pasur diku rreth 8 muaj zgjedhje në nivel dege, edhe kemi kurorëzuar zgjedhjet me zgjedhjen e kryetarit të degës së AKR-së, Agim Bahtiri…. Dhe jemi të kënaqur me participimin e qytetarëve dhe me ofrimin e tyre ndaj AKR-së, dega në Mitrovicë”, tha Ujkani.

Konventa e AKR-së, sipas Ujkanit, do të mbahet më 24 shkurt të këtij muaj, dhe pas zgjedhjes së presidentit do të zgjidhet edhe Kryesia e këtij subjekti. Ai shprehet i bindur se në zgjedhjet lokale do të fitojnë edhe një mandat për udhëheqjen e komunë së Mitrovicës dhe futjen e këtij subjekti në Kuvend të Kosovës në zgjedhjet nacionale.

Ujkani: Kemi bërë një ristrukturim të mirëfilltë të strukturave

“Ne e kemi më 24 të këtij muaj Konventën e AKR-së në nivel qendrorë. Edhe ne presim gjithsesi që edhe në zgjedhjet komunale të këtij viti të dalim fitues pasi që jemi edhe më të fort se që kemi qenë kur ka fituar kryetari Bahtiri. E kemi bërë një ristrukturim të mirëfilltë të strukturave. Na janë bashkëngjitur shumë njerëz të devotshëm të këtij qyteti, intelektual… Besojmë që me punën e sinqertë që e ka bërë kryetari Bahtiri do ta marrim edhe një mandat për Mitrovicën”, shtoi ai.

Sipas Ujkanit, pjesëmarrja e qytetarëve në këtë proces zgjedhor është i kënaqshëm.

Anëtari i AKR-së, Labinot Musliu, i cili votoi në këto zgjedhje, tha se kanë marrë pjesë në votime, dhe beson se ky proces është një shembull i mirë i demokracisë.

Musliu: Presidenti Pacolli do të vazhdojë të drejtojë AKR-në

“Sot kam dal këtu për me shfrytëzuar të drejtën time për me votuar për Presidentin e AKR-së. dhe sot posa e përmbusha këtë detyrë timen si pjesë e AKR-së… Unë po besoi se ky është një shembull i mirë i demokracisë, një anëtar një votë. Presidenti Pacolli dhe gjithë subjekti politik e kanë bërë këtë për arsye me treguar që nuk votohet me aklamacion, nuk ka asnjë lloj presioni mbi asnjë votues, mirëpo secili do ta shprehë vullnetin e tij të lirë se a dëshiron të pranoj për president Pacollin ose jo, për ta udhëhequr AKR-në në të ardhmen për zgjedhje lokale dhe nacionale… Unë jam i bindur se rezultati do të jetë bindshëm që presidenti Pacolli do të vazhdojë ta drejtojë subjektin”, theksoi Musliu.

Edhe anëtarë të tjerë dhe simpatizantë të këtij subjekti politik, të cilët morën pjesë në këtë proces zgjedhor, u shprehën të bindur se me këtë proces zgjedhor përveç frymës demokratike, do të dominojë edhe rritje e AKR-së në nivel të Mitrovicës dhe në tërë Kosovën.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat