Kryetari Bahtiri e koloneli Schuler e vlerësojnë të qetë situatën e sigurisë në Mitrovicë

Mitrovica

Kryetari Bahtiri e koloneli Schuler e vlerësojnë të qetë situatën e sigurisë në Mitrovicë

Më: 30 maj 2017 Në ora: 13:12
ilustrim

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe komandanti i Detashmentit të Përbashkët të KFOR-it Veri, koloneli Martin Schuler, në një takim të mbajtur në ambientet e ndërtesës komunale, kanë vlerësuar se situata e sigurisë në komunën e Mitrovicës është e qetë.

Kryetari Bahtiri fillimisht e falënderoj komandantin Schuler për interesimin e tij të vazhdueshëm për Mitrovicën dhe për bashkëpunimin shumë të mirë ndërmjet KFOR-it dhe Komunës, duke thënë më pas se gjendja aktuale politike dhe e sigurisë në komunë është e qetë dhe pa probleme.

“Ndonëse para  disa javësh pati disa incidente ndëretnike, situata në komunën e Mitrovicës sërish është e qetë dhe pa probleme të mëdha. Për fat të mirë, incidentet që ndodhën nuk eskaluan dhe nuk e tensionuan gjendjen e sigurisë në komunë, kështu që sot mund të flasim për një situatë normale, të qetë dhe pa incidente e probleme të theksuara. Kjo është meritë para së gjithash e vet qytetarëve, por edhe e angazhimit të institucioneve komunale, policisë së Kosovës dhe KFOR-it, të cilat me aktivitetet e tyre i kontribuuan stabilizimit të plotë e të shpejt të gjendjes dhe të mbajtjes së saj nën kontroll”, tha ai.

Kryetari Bahtiri shtoj në vazhdim, se është dashur një angazhim shumë i madh që të organizohen  biseda me qytetarët për të kërkuar maturi dhe durim që gjendja të mos tensionohet. “Fatmirësisht, qytetarët  treguan përkushtim dhe vullnet që të mos bëhen pre e provokimeve dhe që me gjakftohtësi të ruajnë qetësinë dhe stabilitetin e krijuar”, tha ai.

Komandanti i Detashmentit të Përbashkët të KFOR-it Veri, koloneli Martin Schuler, tha se ka ardhur këtu para një viti, kur ende kishte barrikada e tela gjemborë nëpër rrugë dhe kur lëvizjet e qytetarëve nga njëra anë në tjetrën të lumit Ibër ishin më të kufizuara, ndërsa që sot është një situatë krejtësisht tjetër.

“Duke bërë punën tonë për çka jemi këtu, kemi vëzhguar më vëmendje situatën në përgjithësi dhe lëvizjet e qytetarëve. Jam shumë i lumtur që sot kemi një situatë të qetë dhe një lëvizje të papenguar të qytetarëve nga veriu në pjesën jugore dhe anasjelltas. Është mirë që qytetarët janë vetëdijesuar, ndërkohë që ne bashkë me policinë e Kosovës, me të cilën kemi bashkëpunim të mirë, po e vëzhgojmë situatën , e cila aktualisht është e qetë”, tha ai.

Mirëpo, shtoj koloneli Schuler, është mirë që edhe politika po e bënë punën e vet, duke qenë afër qytetarëve dhe duke bashkëpunuar me ta, në mënyrë që të mos ketë ngritje të tensioneve, sepse ato nuk janë të mira për askënd.

Në vazhdim koloneli Schuler tha se e ka vizatuar Fabrikën e Kërpudhave në Gushafc ku është bërë një investim i madh, për të shtuar se kjo tregon se kur situata e sigurisë është e qetë dhe pa probleme, atëherë edhe investitorët e jashtëm nuk hezitojnë për të investuar këtu.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat