Bahtiri kërkon ndërprerjen e menjëhershme të aktiviteteve në fabrikat që ndotin ajrin

Mitrovica

Bahtiri kërkon ndërprerjen e menjëhershme të aktiviteteve në fabrikat që ndotin ajrin

Më: 26 korrik 2017 Në ora: 16:24
Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari Faruk Mujka, disa drejtorë të drejtorive komunale dhe inspektorëve përkatës, ka inspektuar fabrikat për përpunimin e vajrave motorikë

Ashtu sikur që u ka premtuar të martën një grupi qytetarësh gjatë protestave paqësore për shkak të ndotjes së ajrit, kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari Faruk Mujka, disa drejtorë të drejtorive komunale dhe inspektorëve përkatës, ka inspektuar fabrikat për përpunimin e vajrave motorikë, për të cilat qytetarët dyshojnë se po e degradojnë ambientin dhe po e ndotin ajrin.

Në hapësirat e fabrikave ai i ka takuar edhe inspektorët përkatës të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilët ishin ftuar nga vet kryetari Bahtiri.

Inspektori i mjedisit nga MMPH, Mustafë Hyseni i tha Bahtirit se kanë inspektuar të dy operatorët, “Baspartners” dhe NTP “Holdiing”, për të cilët dyshohet se po e ndotin ajrin, për çka edhe po shqetësohen dhe protestojnë qytetarët, pasi që po u rrezikohet shëndeti në shtëpitë dhe banesat e tyre përreth fabrikave.

Ai i tha kryetarit të Komunës se pronari i NTP “Holding” i kishte thënë atij se nuk është duke prodhuar asgjë dhe se ka filluar çmontimin e pajisjeve, pasi që për shkak të pakënaqësive dhe protestave të qytetarëve, aty më nuk mund të prodhoj asgjë, çka do të thotë se ai as këto ditë nuk i ka pas në funksion prodhues kapacitetet veta.

Ndërsa, sa i përket kompanisë “Baspartners”, Hyseni tha se ajo nuk ka leje për prodhim dhe nëse eventualisht ka prodhuar këto ditë, atëherë këtë e ka bërë në mënyrë ilegale e pa leje përkatëse pune.

Edhe pronari i NTP “Holding”, Sabri Hasani, gjatë inspektimit të kapaciteteve prodhuese që i bëri, i tha kryetarit Bahtiri se në fabrikën e tij nuk është prodhuar asgjë që do të rrezikonte shëndetin e qytetarëve, pra asgjë që e ndotë ambientin dhe ajrin.

“Kjo që po them mund të verifikohet lehtë. Procesi teknologjik në pajisjet që posedoj për përpunimin e vajrave, nëse është duke funksionuar, nuk mund ndërpritet pa u mbushur 36 orë. Po qe se ndërhyn për të ndërpre më parë, atëherë mund të ndodhin avari të mëdha që mund të shkaktojnë rrezik të jashtëzakonshëm për punëtorët dhe për rrethin. Prandaj kjo nuk ka ndodhë, sepse për 36 orë inspektorët munden lirisht të konstatojnë se a ka prodhim që e ndotë ajrin apo jo”, tha ai.

Pasi i dëgjoi fjalët e inspektorëve dhe të pronarëve të kompanive të dyshuara për ndotjen e ajrit, kryetari Bahtiri tha se urgjentisht duhet të konstatohet e vërteta, në mënyrë që të ndërmerren masa të duhura ndaj atyre që nuk i respektojnë parametrat ligjorë gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.

“Sido që të jetë, asnjë kompani në territorin e Mitrovicës nuk do të mund të prodhoj asgjë që e ndotë ambientin dhe e rrezikon shëndetin e qytetarëve. Nga sot inspektorët komunalë dhe ata nga niveli qendror duhet të lëshojnë edhe njëherë vendimet për ndërprerjen e prodhimit në këto fabrika. Ndërkohë inspektorët duhet të vazhdojnë punën e tyre. Nuk do të lejojmë të funksionoj asnjë biznes që rrezikon shëndetin e qytetarëve, pa marrë parasysh se sa veta do të punësojë”, tha ndër të tjera Bahtiri.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat