Zjarri në Kçiç të Mitrovicës vihet nën kontroll

Mitrovica

Zjarri në Kçiç të Mitrovicës vihet nën kontroll

Më: 3 gusht 2017 Në ora: 20:07
Pamje nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar) - Zjarri që ka shkatërruar qindra hektarë shkurre, pemë etj, si dhe ka kërcënuar shtëpitë në fshatin Kçiç të Mitrovicës, është vënë nën kontroll.

Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës, Musa Dragaj. Sipas tij, ekipet e zjarrfikësve nga të dyja pjesët e qytetit të Mitrovicës, kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin.

“Zjarrin e kemi lokalizuar në masë. Nuk ka rrezik më për banorët këtu përreth dhe shtëpitë e tyre”, ka thënë shkurt Dragaj.

Ndryshe, sot në këtë fshat rreth 200 hektarë sipërfaqe janë përfshirë nga zjarri, ndërsa që nga ora 16:30 njësitë e zjarrfikësve kanë punuar në lokalizimin e tij. 

Rreth 200 hektarë në Kçiç të Mitrovicës përfshihen nga zjarri

Mbi 200 hektarë sipërfaqe shkurre, pemë etj. janë përfshirë nga zjarri në fshatin Kçiç të Mitrovicës, ndërsa ekipe të zjarrfikësve nga jugu dhe veriu i Mitrovicës janë duke bërë përpjekje për ta lokalizuar zjarrin.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj ka bërë të ditur se zjarri është duke u ofruar shtëpive që ndodhen në këtë zonë, përkatësisht Lagjes së Tupellëve.

“Që nga ora 16:30 njësitet e zjarrfikësve janë duke u përpjekur ta lokalizojnë zjarrin, i cili ka përfshirë mbi 200 hektarë sipërfaqe. Kemi ftuar në ndihmë edhe njësitë e zjarrfikësve nga veriu i Mitrovicës, të cilët na janë përgjigjur menjëherë, ndërsa po kërkojmë ndihmë po ashtu nga qendra në Prishtinë dhe nga KFOR-i”, ka thënë Dragaj. Dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga vapa, por edhe nga pakujdesia e ndonjë individi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat