Ferati: Dëshpërimet e mitrovicasve më shtynë të hy në politikë

Mitrovica

Ferati: Dëshpërimet e mitrovicasve më shtynë të hy në politikë

Më: 16 shtator 2017 Në ora: 10:42
Fehmi Ferati

Binjak në horoskop, i pëlqejnë barcoletat shumë, sidomos inteligjente dhe që nuk lëndojnë të tjerët, adhurues i muzikës klasike vazhdimisht, elektro, rapsodike me tematikë kombëtare dhe i zërit të arritur deri në perfeksion, si dhe di të këndoj vetë.

Është shumë këmbëngulës dhe i durueshëm, ndërsa kur ka mbetur pa para në jetë, ka huazuar. E pi duhanin, por jo edhe alkoolin. Nuk ka pasur të dashur kurrë, dhe nuk planifikon të ketë.

Ky është përafërsisht backgroundi më i shkurtër i Fehmi Feratit, kandidatit për kryetar të ardhshëm të Mitrovicës.

Ferati i cili pretendon postin e të parit të qytetit të Mitrovicës nga partia Vetëvendosje, gjatë një interviste për Kp, ka treguar arsyen pse ka vendosur të hyjë në politikë, pse nën ombrellën e Vetëvendosjes, por ka rrëfyer edhe për planet, synimet dhe projektin e tij për Mitrovicën.

Ferati: VV-ja i ka mbetur konsistent parimeve të veta

“Nuk e kam parë vetën më herët në politikë, por dëshpërimet personale, kohët e fundit që kanë ndodhur në qytetin tim, kanë bërë që të marrë vendim që të angazhohem pikërisht në subjektin i cili i ka mbetur konsistent qëllimeve dhe parimeve të veta”, ka thënë Ferati.

Ai ka mohuar mundësinë e dështimit të tij në këtë garë, duke thënë se garancë për këtë e ka punën, përvojën dhe angazhimin e tij shumëvjeçar, për të cilat tha se i ka bërë gjithmonë me nder.

Ferati foli edhe për konkurrentët e tij, për të cilët tha se janë njerëz të mirë të gjithë, por potencoi kreativitetin si virtyt që e dallon nga të tjerët.

Ai ka sugjeruar kandidatët konkurrentë të jenë të kujdesshëm në fjalorin e tyre gjatë fushatës, dhe të mos premtojnë gjëra të parealizueshme.

Ferati: Kërkoj prej kandidatëve mos me gënjy

“Nuk i besoj dështimit, duke u bazuar në gjithë punën time, përvojën dhe të gjitha angazhimet personale. Gjatë gjithë jetës time kam punuar me nder, djersë dhe ballëhapur. Mitrovica i ka 10 kandidatë për kryetar komune. Unë personalisht i njoh si njerëz të mirë të gjithë, nuk shoh ndonjë konkurrencë që mund të shfaqin nga planet personale. Pres kreativitet dhe jo retorikë të vazhdueshme dhe të mërzitshme të këtyre fushatave 15 vjeçare. Kërkoj prej kandidatëve mos me gënjyer dhe mos me shfrytëzuar komunikimin me prek imagjinatën e qytetarit duke premtuar projekte që nuk realizohen sepse kjo nuk është morale dhe etike…Mendoj se e gjithë përvoja ime në fushën e biznesit, edhe të krijimtarisë, edhe në fushën e mediumit, të komunikimit strategjik do të më ndihmoj mjaftueshëm për me qeverisë komunën, duke njohur qytetin, lindur dhe rritur në qytet…i njoh mirë problemet”, tha ai.

Rreth shtyllave kryesore të programit, ai ka përmendur veç tjerash arsimin, shëndetësinë, turizmin, e sidomos raportet me Trepçën, si shtyllat kryesore të programit të tij.

Ferati ka porositur elektoratin që kundërshtarët në politikë të mos i shohin si armiqë.

Ferati: Në Mitrovicë ka mundësi të krijohet një kapital i ri

“Mitrovica ka specifikat e veçanta dhe shumë interesant që në Mitrovicë ka mundësi të krijohet një kapital i ri, duke riaktivizuar intelegjencën dhe të rinjtë. Pikat kryesore mbeten edhe tutje, do të thotë nga një program ku janë arsimi, shëndetësia, turizmi, dhe një pikë e veçantë që duhen të ridefinohen raportet e Mitrovicës me Trepçën janë shumë të rëndësishme. Ajo çka kërkoj prej elektoratit është që nëse një familjar ose një qytetar tjetër, është oponent, mos e konsidero si armik sikurse deri tani, sepse këto parti të mëdha deri tani nuk kanë zhvilluar fushatë etike”, theksoi Ferati.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat