Kamberi shpalos prioritetet për mandatin e ardhshëm katërvjeçar në Mitrovicë

Mitrovica

Kamberi shpalos prioritetet për mandatin e ardhshëm katërvjeçar në Mitrovicë

Më: 23 shtator 2017 Në ora: 18:10
Kandidati i LDK-së për kryetar të Mitrovicës, Safet Kamberi

Kandidati i LDK-së për kryetar të Mitrovicës, Safet Kamberi, ka shpalosur programin e tij qeverisës për katër vjetët e ardhshme, i cili është i bazuar në tetë prioritete kryesore, të cilat nxjerrin projektet më të mira për qytetin e Mitrovicës.

Ai tha se prioritetet e tij për mandatin e ardhshëm qeverisës në Mitrovicë synojnë kthimin e dinjitetit dhe respektin e qytetarëve dhe që institucionet të jenë gjithnjë në shërbim të qytetarit.

Kamberi: Mitrovica të duket qytet modern

“Prioriteti i parë është që Mitrovica të duket qytet modern dhe funksional. Për këtë ne kemi menduar që të organizojmë trafikun urban, ku gjatë mandatit tonë katërvjeçar, i cili për ne do të quhet si Mitrovica 2021 ne do të organizojmë trafikun urban, sepse kemi rregulloren e cila rregullon këtë çështje dhe janë të përcaktuara linjat urbane dhe neve na mbetet që ta organizojmë përmes komunës dhe partneritetit publiko-privat”, ka thënë Kamberi.

Ai tha se gjatë mandatit të tij katërvjeçar do të ndërtojë edhe shëtitoren, prej urës lindore të lumit Ibër, tek Lagjja e Boshnjakëve në drejtim të urës qendrore dhe ura e Suhadollit, dhe po ashtu do të nisin procedurat për themelimin e ndërmarrjes lokale banesore.

Ai po ashtu është zotuar se një punë e madhe do të bëhet edhe në rregullimin e ndriçimit publik dhe të trotuareve për qytetarët e Mitrovicës.

Kamberi: Do të realizojmë ndriçimin publik në të gjitha rrugët

“Ne gjatë këtij mandati do të realizojmë gjithë ndriçimin publik në të gjitha rrugët dhe rrugicat e qytetit, si dhe do të shikojmë mundësitë e ndriçimit edhe në zonat tjera jashtë qytetit, ku janë nevojat dhe në bazë të mundësive financiare të komunës së Mitrovicës ne do t’i realizojmë këto. Po ashtu një tjetër çështje është edhe riparimi i trotuareve”, ka thënë Kamberi.

Duke folur rreth zhvillimit ekonomik të Mitrovicës, kandidati i LDK-së për të parin e komunës tha se do të ketë projekte tërheqëse për investuesit, ku do të formohet një grup i ekspertëve pranë kryetarit të komunës që do të ketë rol këshillues dhe propozues.

Kamberi: Do të krijojmë fondin e punësimit

“I rëndësishëm është krijimi i fondit të punësimit, i cili është për herë të parë në kuadër të komunës së Mitrovicës. Ne do ta themelojmë këtë fond në bashkëpunim edhe me partnerët tjerë, por edhe përmes partneritetit publiko-privat dhe do të jetë një mundësi e madhe për bizneset”, ka thënë Kamberi.

Ai është zotuar se në fillim të punës së mandatit qeverisës do të heqin të gjitha taksat komunale për bizneset, si dhe do të rishikojnë projektin e tregut të gjelbër, i cili do të jetë në harmoni me kërkesat e qytetarëve.

Kamberi tha se gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar do të investojnë në rritjen e cilësisë në arsim, si dhe do të ndërtojnë dy çerdhe të reja publike dhe do të gjejnë zgjidhje edhe për bibliotekën.

Bujqësia produktive dhe zhvillimi i turizmit do të jenë synimet për realizim nga kandidati i LDK-së nëse ai merr besimin për mandatin e ardhshëm Bare dhe Bajgorë do të shpallen fshatra turistike dhe të ndahet buxhet për investime.

Një përkushtim i veçantë do të jetë edhe për sektorin e shëndetësisë, në mënyrë që të ketë kushte më të mira pune nëpër qendrat familjare, si dhe të hapet një ordinancë për persona të moshuar.

Kamberi: Do të ndërtohet edhe një shtëpi e pensionistëve

“Në bashkëpunim me shoqatën e pensionistëve e kemi nënshkruar një memorandum të mirëkuptimit. Gjatë vitit të ardhshëm Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të investojë në ndërtimin e shtëpisë së pensionistëve dhe në kuadër të kësaj shtëpie parashihet që të jetë edhe një ambulancë, e cila do të jetë në shërbim të pensionistëve”, ka thënë Kamberi.

Po ashtu kujdes i veçantë do t’i kushtohet edhe mjedisit, ku në secilën lagje do të punësojnë nga një qytetar për mirëmbajtjen e hapësirave, si dhe largimin e deponive ilegale dhe rregullimi i parkut të qytetit.

Ai tha se do të ndërtohet edhe objekti i galerisë së arteve, si dhe do të ketë investime në sferën e sportit dhe rekreacionit, ndërsa një ndihmë e veçantë do të jetë edhe për klubet e futbollit dhe basketbollit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat