Ndihen të pafajshëm edhe 20 Policët e Veriut, të akuzuar për ryshfet

Mitrovica

Ndihen të pafajshëm edhe 20 Policët e Veriut, të akuzuar për ryshfet

Më: 3 tetor 2017 Në ora: 22:52
Policia kontrollon një maune në Autostradë

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e rastit Zejnije Kela, 20 zyrtarët policorë të Njësisë së Trafikut të Mitrovicës Veriore, të akuzuar për marrje ryshfeti, u deklaruan të pafajshëm.

Këta pjesëtarë janë pjesë e grupit prej 59 zyrtarëve policorë, të cilët ishin arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe dhënie e ndihmës kryesve të veprave penale.

Edhe këtyre policëve u është ndërprerë marrëdhënia e punës.

Edhe për këta policë sikurse edhe për 15 kolegët e tyre të Mitrovicës Jugore, seanca e shqyrtimit fillestar për të cilët u mbajt dje, është bërë veçimi i procedurës, për të cilën gjë u njoftuan palët që në fillim të këtij shqyrtimi fillestar nga gjyqtari i çështjes Avni Mehmeti.

Në seancë ishin të pranishëm të gjithë policët e akuzuar: Vojkan Stepiq, Vasko Raduloviq, Shefqet Maxhuni, Srdjan Zhivkoviq, Sinisha Milutinoviq, Milan Jovanoviq, Sllavisha Filipoviq, Nexhad Islamoviq, Zmajko Milenkoviq, Sërxhan Gjoroviq, Branko Radosavleviq, Milan Vitkoviq, Stevica Ignjatoviq, Zlatomir Simoviq, Milijan Jovanoviq, Vesko Kandiq, Sërxhan Milojeviq, Manjole Vlaskoviq, Milorad Mitroviq dhe Milijan Miliceviq, së bashku me mbrojtësit e tyre, si dhe prokurorja e rastit Zejnije Kela.

Secili nga policët e akuzar u deklarua veç e veç se nuk e ndjejnë veten fajtor për akuzat që u vihen në barrë.

Pas kësaj, gjyqtari Avni Mehmeti i njoftoi palët që nuk do të mbahet shqyrtimi i dytë, por palëve do t’u jepet mundësia e kundërshtimit të aktakuzës dhe provave në afat prej 30 ditësh si dhe vendimin në lidhje me kundërshtimin në rast se do të këtë do ta marrë jashtë seancës gjyqësore.

Edhe pas informimit nga ana e gjyqtarit se është bërë veçimi i procedurës për policët e akuzuar të Mitrovicës Veriore dhe asaj Jugore, avokati Faruk Korenica në seancën e shqyrtimit fillestar kërkoi nga gjykata që të veçohet procedura penale për të pandehurit, sipas pikave të aktakuzës sepse sipas tij nga aktakuza shihet se secila pikë është e ndarë nga tjetra dhe qëndrimi i të akuzuarve është maltretim dhe humbje kohe.

Ndërsa lidhur më këtë gjyqtari Avni Mehmeti deklaroi se Gjykata ka marrë një vendim më 03.08.2017 për veçim të procedurës dhe ai vendim tani për tani do të mbetet në fuqi dhe nuk do të nxjerrë ndonjë vendim tjetër të veçantë.

Në mesin e të akuzuarve për veprën penale “dhënia e ryshfetit” kanë qenë edhe dy qytetarë, Slavolub Dimiq dhe Goran Gjuriq, të cilët edhe e kanë pranuar fajësinë.

Ndërsa me propozimin e Prokurorisë, Gjykata Themelore e Mitrovicës iu kishte  shqiptuar urdhër ndëshkimor në qershor 2016 dhe të njëjtit i ka dënuar me gjobë prej 500 eurosh për secilin.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë edhe 20 pjesëtarë të Njësisë së Kontrollit të Autostradave, 15 nga Njësia e Trafikut në Mitrovicën e Jugut dhe 4 të tjerë nga Njësia e Trafikut në Prizren.

Sipas një hulumtimi të Kallxo, zyrtarët policorë akuzohen se kanë marrë ryshfet nga ngasësit e ndryshëm në euro dhe dinarë serbë./Kallxo.com/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat