Ismaili: Mjekët të gjejnë vende pune nëpër spitalet tona

Mitrovica

Ismaili: Mjekët të gjejnë vende pune nëpër spitalet tona

Më: 11 tetor 2017 Në ora: 13:23
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka vizituar sot spitalin “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, për t’u njohur nga afër me punën, problemet dhe nevojat me të cilat ballafaqohet ky spital.

Ai tha se përveç angazhimit që shërbimet shëndetësore të arrin tek qytetarët, duhet punuar që përmes politikave investive të kuadrove, të arrihet qëllimi që mjekët të gjejnë vende pune nëpër spitalet e Kosovës.

Ismaili: Kuadrove tona duhet t’iu bëjmë vend në Kosovë

“Ne duhet të angazhohemi që të arrimë tek shërbimet shëndetësore për të cilat kanë nevojë qytetarët, të arrimë me politika investive të kuadrove, që mjekët tonë të gjejnë vende pune në spitalet tona… Do të thotë ne kemi një kuadro të cilët janë duke u shkolluar, atyre duhet t’ju bëjmë vend në spitalet tona që të jenë këtu, të rrinë në Kosovë, të rrinë në qytetin e Mitrovicës, dhe kjo është ajo që biseduam se do ta kenë përkrahjen tonë”, ka thënë Ismaili.

Së bashku me ministrin e Shëndetësisë në spitalin e Mitrovicës ishte edhe kandidatja për kryetare të Mitrovicës nga partia e Ismailit.

Valdete Idrizi, garantoi se gjatë qeverisjes së saj do të angazhohet maksimalisht për kushte sa më të mira shëndetësore për qytetarët.

Idrizi: Iu siguroj se secili qytetar do të ketë shërbime më të mira

“Unë iu kam garantuar se do të jem shumë afër, do të sigurohem që secili qytetar i Mitrovicës me pas shërbime, njëkohësisht studentëve dhe të rinjve iu premtova se komuna do ta rrisë buxhetin, do ti sigurojë se të gjitha kushtet do t’ua plotësojë, qoftë me specializime apo forma tjera”, tha Idrizi.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit në këtë spital, Hamëz Berisha, ka falënderuar mysafirët për vizitën, duke thënë se më në fund shihet një gatishmëri dhe interesim ndryshe për këtë spital.

Berisha: Po shihet se po kthehet vëmendja nga Mitrovica

“Më në fund, shihet nga niveli lokal por edhe qendror gatishmëria, vullneti, që të kthehet vëmendja për spitalin e Mitrovicës”, theksoi Berisha.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat