Veseli: Mitrovica nuk do mbetet qytet i stagnimit, por i zhvillimit

Mitrovica

Veseli: Mitrovica nuk do mbetet qytet i stagnimit, por i zhvillimit

Më: 19 tetor 2017 Në ora: 19:42
Kadri Veseli

Mitrovica nuk do të vazhdojë të mbetet qytet i stagnimit, por do të kthehet në qytet të zhvillimit. Por kjo, do të bëhet me Valdete Idrizin kryetare pas 22 tetorit, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në tubimin përmbyllës elektoral në Mitrovicë.

Ai theksoi se Mitrovica gjithmonë ka qenë motor i zhvillimi ekonomik, prandaj nuk do të lejojnë që të vazhdojë stagnimi.

Sipas Veselit me Valdete Idrizin, Mitrovica do të kthehet nga qytet i stagnimit, në qytet të zhvillimit, qytet modern që zhvillohet, e ku jetohet mirë e punohet.

Veseli: Mitrovica nuk e duron keq qeverisjen, kërkon ndryshimin

“Mesazhi jonë i përbashkët sonte është i qartë, është i kristalt siç janë vetë kristalet e Trepçës sonë. Mitrovica nuk e duron stagnimin, Mitrovica nuk e duron keq qeverisjen, Mitrovica kërkon ndryshimin, Mitrovica kërkon zhvillimin, Mitrovica ka marrë vendim fitore për Partinë Demokratike të Kosovës, fitore për Valdete Idrizin. Mitrovica gjithmonë ka qenë avangarde e zhvillimit ekonomik, e përparimit arsimor dhe e emancipimit shoqëror në Kosovë. Edhe në këto zgjedhje Mitrovica po dëshmohet e tillë. Mitrovica ka vendosur të udhëhiqet nga një grua e suksesshme, nga një grua që Mitrovicën e ka pasion shpirtëror e jetësor. Valdete Idrizi është gruaja që si askush tjetër e shpreh më së miri identitetin e Mitrovicës sonë. Valdete Idrizi ka marrë përsipër një mision të shenjt, qytetit tonë t’ia rikthejë krenarinë dhe ajo të jeni të sigurt se do t’ia dal”, tha Veseli.

Kreu i PDK-së, theksoi se qëndrojnë prapa të gjitha premtimeve të Valdete Idrizit, pasi sipas tij, me Valdete Idrizin kryetare, Mitrovica nga një referencë negative, ka për të shndërruar në një shembull të qeverisjes së mirë, një shembull për gjithë Kosovën dhe secilin vend në zhvillim.

Ndërsa, kandidatja për kryetare të Mitrovicës nga PDK-ja, Valdete Idrizi, e bindur në fitoren e saj, u bëri thirrje mijëra qytetarëve të Mitrovicës që të bëhen bashkë në fitoren e ndryshimit.

Ajo premtoi fuqishëm se të gjitha fondet do t’i sjellë në Mitrovicë, e po ashtu të gjitha projektet e parapara në programin e saj, do të implementohen në përpikëri.

Idrizi: Ta bëjmë Mitrovicën qytet modern

“Le ta bëjmë bashkë Mitrovicën qytet modern, ashtu siç ne e meritojnë, ku shërbimet publike janë me të vërtetë shërbime ndaj qytetarëve, ku qytetarët do të kenë besim tek institucionet ku qytetarët dot ë mund të shfrytëzojnë potencialin e vet për të mirën e përbashkët, ku të rinjtë e arsimuar do të ndihen krenar për kontributin e tyre, jo vetëm familjen e tyre po edhe për shoqërinë, edhe për qytetin e tonë, ku gjyshërit do të gëzojnë një pleqëri të dinjitetshme, ku ndërmarrësi do të ndihen të fuqizuar dhe krenar për kontributin në vendin e vet. Ku fermerët dhe prodhuesit do të kontribuojnë, dhe do të jenë shtylla e zhvillimit, ku qytetarët do të ndihen të barabartë, asnjë qytetar nuk do të jetë mbrapa, këtë ju garantoj, ku punëtorët do të kenë kushte me të mira për punë. Ju qytetarë, bashkëvendës, me votën tuaj mund t’i thoni vetës dhe gjithë Kosovës, po, ne mund ta bëjmë qytetin tonë me tà « mirë ne do të jemi ajo forca e ndryshimit. Ta realizojmë së bashku këtë vizion për Mitrovicën tonë, këtë vizion që kemi ndërtuar bashkë”, tha Idrizi.

Pretendentja për të paren e Mitrovicës, drejtoi kritika për qeverisjen e kaluar, duke thënë se katër vitet e kaluara ishin vite të stagnimit, prandaj ka vendosur t’i hyjë garës për të paren e qytetit, pasi nuk mund ta duronte një gjë të tillë.

Idrizi: Katër vite Mitrovica stagnoi

“Shumë njerëz të aftë për punë kanë mbetur pa punë, shumë qytetar pa shërbime mjekësore, shumë fëmijë pa mësim, sepse nuk kanë transport për të shkuar në shkollë, shumë fëmijë pa çerdhe, shumë talentë pa përkrahje, shumë familje pa ujë të pijshëm. Me kandidimin tim iu them mjaftë me këto padrejtësi, mjaftë me këtë trajtim kaq jo dinjitoz. Ka ardhur koha për ndryshim, për ndryshimin që e ka vuajtur Mitrovica që katër vite dhe këtë kush mund ta bëjë, përveç neve bashkë PDK-së në krye me liderin e saj, i cili po tregon se është forca e ndryshimit”, tha Idrizi.

Madje, Idrizi iu drejtua qytetarëve si e vetmja grua në garë me nëntë burra, duke thënë se ata kanë filluar të frikësohen pasi kanë parë ndryshimin që po vjen për Mitrovicën, prandaj po thonë se Mitrovicës i duhet një burrë kryetar, por Mitrovica do ta ketë një grua kryetare.

Në tubimin përmbyllës elektoral janë prezantuar edhe kandidatët për Asamblenë Komunale të Mitrovicës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat