Digjen dy vetura dhe pajisje në vlerë rreth 60.000 euro të një shqiptari në veri

Mitrovica

Digjen dy vetura dhe pajisje në vlerë rreth 60.000 euro të një shqiptari në veri

Më: 26 tetor 2017 Në ora: 13:57
Veturat në vlerë rreth 60 mijë euro, janë djegur sot rreth orës 04:15 të mëngjesit në ‘Lagjen e boshnjakëve’ në veri të Mitrovicës

Dy vetura dhe disa pajisje për furrë në vlerë rreth 60 mijë euro, janë djegur sot rreth orës 04:15 të mëngjesit në ‘Lagjen e boshnjakëve’ në veri të Mitrovicës, ndërsa janë dëmtuar edhe xhamat e një veture tjetër që ndodhej në atë vend.

Pronari i këtyre veturave, Tefik Fetahi, njëherësh pronar edhe i furrës ‘Teki’s bakery’ në ‘Lagjen e boshnjakëve’, ka bërë të ditur se rreth orës 04:15 të mëngjesit kishte dëgjuar një detonim të fuqishëm.

Sipas tij, derisa kishte shkuar tek oborri i parcelës së tij, gjithçka ishte bërë pothuajse shkrumb, ndërsa kishte parë vetëm tym e flakë. Duke thënë se dëmi që i është shkaktuar kap vlerën rreth 60 mijë euro, ai u shpreh i zhgënjyer me institucionet e vendit për mos interesimin sa duhet të banorëve shqiptarë në këtë pjesë.

Image
Tefik Fetahi

Fetahi: Dëmet janë rreth 60 mijë euro

“Rreth orës 4:15 kam dëgjuar një zhurmë, detonim. Kam ardhur afër, ky është vendi im, makinat e mia. Në atë kohë kishin ardhur edhe zjarrfikësit, do të thotë në 4:20 kanë qenë zjarrfikësit edhe policia. Kam ardhur, e kam parë tym e flakë, kaq. Ajo është BMW i vitit 2011, ky tjetri Golf 7 viti i prodhimit 2014. Pajisjet e furrës që janë djegur atje kanë vlerën 15 mijë euro më së paku që i bie në total rreth 60 mijë euro. Me strukturat, të cilat duhet sado pak të shikojnë edhe nga ne ku jetojmë jam i zhgënjyer me ta. Sa jemi të sigurt po shihet”, ka thënë Fetahi.

Deniz Qaushi, kryetar i Këshillit Lokal për Siguri në këtë lagje, tha se për banorët shqiptarë të kësaj pjese tashmë është bërë e vështirë mbijetesa. Ai ka apeluar tek organet kompetente që të merren urgjentisht me zbardhjen e këtij incidenti.

Qaushi: Organet e rendit të merren urgjentisht me këtë punë

“Përveç që është bërë vështirë jetesa këtu për shkak të sigurisë, po shohim se në ditë të sotit edhe mbijetesa është bërë problem. Kjo është një katastrofë për ne, për banorët e kësaj pjese që jetojmë këtu. Ne presim përgjigje konkrete, jo vetëm hetimet vazhdojnë hetimet vazhdojnë, andaj apelojmë tek organet e rendit që të merren urgjentisht me këtë punë”, theksoi Qaushi.

Në anën tjetër, Besim Hoti, zëvendës drejtor i policisë për rajonin e veriut, tha se rastet e tilla paraqesin pasiguri për të gjithë banorët në veri të Mitrovicës. Ai ka potencuar se Policia e Kosovës do të punojë për së afërmi me banorë, me ankues dhe me të gjithë ata që kanë çfarëdo lloj informacioni, e që do të shpien në identifikimin e kryesve të këtij akti kriminal.

Image
Besim Hoti

Hoti: Bëhet fjalë për një zjarrvënie

“Sipas informacioneve që policia ka në disponim, bëhet fjalë për një zjarrvënie, praktikisht për një shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, që besohet se është iniciuar me mjete ndezëse nga persona ende të paidentifikuar deri në këtë moment. Sigurisht se Policia e Kosovës do të punojë për së afërmi me banorë, me ankues dhe me të gjithë ata që kanë çfarëdo lloj informacioni e që do të shpien në identifikimin e kryesve të këtij akti kriminal. Rastet e tilla qofshin individuale, qofshin të organizuara, praktikisht në përgjithësi paraqesin pasiguri për të gjithë banorët në veri të Mitrovicës. Prandaj, ne kemi kërkuar edhe nga niveli i pushtetit lokal dhe të gjitha institucionet tjera që të bashkëpunojnë me policinë e Kosovës dhe me qytetarët me qëllim të parandalimit të këtyre veprave”, ka thënë Hoti.

Ndryshe, gjatë natës së mbrëmshme, përkatësisht rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm, është sulmuar me gurë çatia e një shtëpie dhe është thyer një dyqan në ‘Kodrën e Minatorëve’ në veri të Mitrovicës, pronarë të të cilave janë shqiptarë. Policia është duke punuar intensivisht në zbardhjen e këtyre dy incidenteve dhe kapjen e autorëve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat