Veseli: Bëhuni bashkë t’i jepni fund stagnimit në Mitrovicë

Mitrovica

Veseli: Bëhuni bashkë t’i jepni fund stagnimit në Mitrovicë

Më: 16 nëntor 2017 Në ora: 19:11
Pamje nga takimi

Mitrovica si djep i kulturës dhe çerdhe e njerëzve të mirë e intelektual më 22 tetor votoi kundër degradimit nga kryetari në ikje dhe ka votuar për qeverisjen e mirë dhe të ndershme dhe progresin dhe liderin e këtij ndryshimi, Valdete Idrizi.

Kështu u tha sonte në tubimin zgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë në kuadër të fushatës për garën e balotazhit më 19 nëntor, ku do të garojnë Valdete Idrizi nga PDK dhe Agim Bahtiri nga AKR-ja.

Kandidatja e PDK-së për të parin e Mitrovicës, Valdete Idrizi, ka thënë se kjo parti është e mobilizuar si kurrë më parë për një Mitrovicë të zhvilluar, të perspektivës dhe mirëqenie sociale për të gjithë qytetarët e saj.

Idrizi: Programi im ofron shërbime më të mira për qytetarët

“Programi ju garanton kushte më të mira për fëmijët dhe marrjen e njohurive në sistemin shkollor. Programi im do të thotë shërbime më të mira shëndetësore ashtu si e meritojnë qytetarët, do të ketë më shumë rrugë, parqe, çerdhe, shkolla e laboratorë, më shumë kulturë, ambulanca dhe shërbime shëndetësore, do të ketë më shumë zhvillim dhe definitivisht do të ketë më shumë në punësim në Mitrovicë”, ka thënë Idrizi.

Ajo tha se është koha për ndryshime pozitive për qytetin e Mitrovicës dhe të ecet përpara, pasi gjatë qeverisjes së kaluar nuk ka pasur zhvillim të mirëfilltë të komunës si pasojë e neglizhencës së qeverisjes së kaluar.

Idrizi: Këtyre katër viteve Mitrovicës i janë shkaktuar shumë dëme

“Këtyre katër viteve Mitrovicës i janë shkaktuar shumë dëme, është shtuar varfëria më shumë. Qyteti jonë harroi fjalën zhvillim. Shumë punëtorë kanë mbetur pa u paguar për punën e tyre, shumë fshatra po boshatisen si pasojë e neglizhencës së komunës. Shumë njerëz të aftë të papunë kanë mbetur pa u punësuar, shumë fëmijë pa mësim, sepse nuk kanë transport e këto ditë nuk kanë as ngrohje nëpër shkolla”, ka thënë Idrizi.

Idrizi tha se projektet e ardhshme do të sjellin ndryshime për qytetin e Mitrovicës, e cila përballet me shumë probleme dhe sfida, të cilat do të zgjidhen gjatë qeverisjes së ardhshme katërvjeçare me punë të ndershme dhe në bashkëpunim  me qytetarët.

Për më tepër, Idrizi theksoi se programi i saj është i realizueshëm dhe do të zbusë papunësinë në komunën e Mitrovicës, duke premtuar llogaridhënie dhe transparencë.

Idrizi: Njerëzit profesional do të jenë pjesë e ekzekutivit tim

“Partia dhe nepotizmi  i kanë tejkaluar kriteret e cilësisë, përgatitjen profesionale, edukimin dhe përvojën e nevojshme. Me mua si kryetare ju garantoj se njerëzit më të mirë, profesionistët më të mirë nga Mitrovica do të jenë drejtorë dhe drejtoresha në ekzekutivin e qeverisjes time”, ka thënë Idrizi.

Ajo është zotuar se gjatë mandatit të saj katërvjeçar do të ketë shërbime më cilësore, ku të rinjtë e arsimuar do të ndihen krenarë për kontributin e tyre, qytetarët do të kenë trajtim të barabartë në të gjitha shërbimet dhe punëtorët do të kenë kushte më të mira për punë.

Idrizi: Të gjithë jemi një

“Nuk do të lejojë asnjëherë të bëhen dallime, apo përçarje sikurse po tentohet sot nga kundërkandidati me Shalë e me Drenicë. Ne të gjithë jemi një”, ka thënë ajo.

Idrizi ka shprehur bindjen se më 19 nëntor PDK do të shënojë fitore dhe me këtë do t’i jepet fund keqqeverisjes në komunën e Mitrovicës.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka shprehur bindjen se kandidatja Valdete Idrizi është personi më i aftë dhe më i denjë për të udhëhequr jo vetëm komunën e Mitrovicës, por edhe shumë komuna tjera të Kosovës.

Veseli: Bëhuni bashkë t’i jepni fund stagnimit në Mitrovicë

“Bëhuni bashkë t’i jepni fund stagnimit në Mitrovicës dhe t’i japim shpresë Mitrovicës dhe zhvillim me një kryetare, e cila është e mençur, modeste, vizionare që Mitrovicën ta çojë përpara për qytetarët tanë.

Ai tha se qeverisja e deritanishme ka sjellë vetëm tallje për Mitrovicën, derisa Mitrovica me në krye Valdete Idrizin do të ketë zhvillim të mirëfilltë dhe investime në prodhime, perspektivë në familje.

Veseli: Kur bëhen bashkë budallenjtë kurrgjë e mirë nuk bëhet në atë vend

“Populli thotë: kur bëhen bashkë budallenjtë dhe ahmakët, anarkistët, kurrgjë e mirë nuk bëhet në atë vend”, ka thënë Veseli.  

Ai ftoi elektoratin që më 19 nëntor të bashkohen për të mirën e komunës së Mitrovicës dhe të votojnë për fitoren e madhe të kandidates Valdete Idrizi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat