Në veri çmimi i ujit më i lirë, por askush s’paguan

Mitrovica

Në veri çmimi i ujit më i lirë, por askush s’paguan

Më: 27 janar 2018 Në ora: 15:40
Mitrovicë

Banorët e komunave veriore të Kosovës, që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, nuk i kanë paguar faturat për shërbime të ujit.

Rreth 700 mijë euro në vit apo më se 13 milionë euro për 19 vjet, llogaritet vlera e faturave të ujit të shpenzuar,e të cilat nuk paguhen nga banorët e këtyre komunave.

Katër komunat: Leposaviqi , Mitrovica Veriore, Zubin Potoku dhe Zveçani, janë të banuara me shumicë serbe, të cilat ndër vite kanë funksionuar jashtë sistemit juridik-kushtetues të Kosovës.

Hysni Feka, ushtrues detyre i udhëheqësit të Departamentit të tarifave në Autoritetin Rregullator për Shërbimin e Ujit (ARRU), thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë një viti, mbi katër milionë metra kub ujë janë dërguar në atë pjesë, me një çmim prej 0.17 euro centë, për metër kub.

Kurse, çmimi i ujit për një metër kub, sipas tij, për konsumatorët e pjesës jugore, është rreth dyfish më e lartë.

Faturat e shpenzuara të ujit, sipas Hysni Fekës, nuk arrijnë te konsumatorët që banojnë në atë pjesë.

“Kompania rajonale ‘Mitrovica’, e mat ujin përmes tre ujëmatësve, në baza mujore. Raporton në ARRU, se sa ujë ka shkuar në pjesën veriore. Mirëpo, nuk ka një mekanizëm apo nuk ka një metodë, me të cilën kompania rajonale e ujit ta dërgojë faturën te pranuesi i faturës. Nuk ka dikush që e pranon faturën e ujit nga ujësjellësi ‘Mitrovica’”, thotë Feka.

Edhe disa nga qytetarët e asaj pjesë e pranojnë se nuk e paguajnë ujin, madje sipas tyre, duke e konfirmuar edhe atë që e thonë në ujësjellës, se për shpenzimet e bëra, nuk u shkojnë fare as faturat.

Njëri nga ta është Vitomir Zhivkoviq nga Mitrovica veriore. Ai thotë se nuk e di se kujt duhet t’ia paguajë faturat për ujin.

“Ende nuk kemi marrë asgjë zyrtarisht. Kështu që deri më sot nuk kemi paguar. Do të paguanim sikur ta dinim kujt t’ia paguajmë dhe të marrim vërtetimin se kemi paguar”, thotë Zhivkoviq.

Ndërkaq, Slavica Marinkoviq, qytetare po nga Mitrovica, thotë se nuk i kujtohet se kur ka paguar për herë të fundit për ujin e shpenzuar:

“Në fakt, nuk e di se kur e kam marrë për herë të fundit faturën për ujin dhe madje nuk e di se a ekziston matësi i gjendjes së shpenzimit të ujit në banesën ku jetoj”.

Ndryshe, Kompania Rajonale, Ujësjellësi “Mitrovica”, që gjendet në Shipol, është e vetmja kompani e licencuar që kryen veprimtarinë e furnizimit me ujë të pijshëm dhe mirëmbajtjen e kanalizimit në rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen komunat e banuara me shumicë serbe.

Kjo kompani është nën ombrellën e Autoritetit Rregullator të Shërbimeve të Ujit.

Për mospagesën e faturave të shpenzuara të ujit, nga banorët e asaj pjese,institucioni i Avokatit të Popullit, vitin e kaluar ka hapur hetim zyrtar.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tregon për Radion Evropa e Lirë se për këtë çështje, ka biseduar më autoritet kompetente dhe pret veprime të drejta. Në të kundërtën, thotë ai, ky institucion do të dalë me një qëndrim publik se a ka të bëjë me shkelje të të drejtave të njeriut.

Shqetësuese, sipas Jasharit, përveç mospagesave të faturave, mbetet çmimi i ndryshëm i ujit për pjesën veriore dhe pjesën jugore. 

“Nëse nuk ka ndonjë veprim, atëherë ne, si institucion i Avokatit të Popullit, gjithsesi do të dalim me ndonjë qëndrim, raport dhe me rekomandime konkrete dhe do të vlerësojmë se a ka pasur shkelje të ligjit apo jo”, thotë Jashari.

Kush e bën pagesën e këtyre faturave?

Por, vazhdon të mbetet dilemë se kush e bënë pagesën e këtyre faturave për ujin e shpenzuar në katër komunat veriore?

Hysni Feka thotë se Qeveria e Kosovës pothuajse për çdo vit bën subvencionim në shuma të ndryshme financiare në mënyrë që të mundësohet operimi i kompanisë.

“Këtë pagesë nuk e bën askush, kjo çështje ka mbetur pezull. Mirëpo, për të mundësuar operimin e kompanisë, Qeveria në baza të rregullta vjetore, por jo gjithmonë në shuma të njëjta, paguan shpenzime ekstra për vazhdimin e veprimtarisë së kompanisë ‘Mitrovica’ ”, thotë Feka.

Por, ekspertë për çështje ekonomike thonë se paratë me të cilat Qeveria e Kosovës po e subvencionon kompaninë rajonale “ Mitrovica”, janë taksa të qytetarëve të Kosovës.

Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike, për Radion Evropa e Lirë, thotë se qytetaret nga pjesë ndryshme të Kosovës paguajnë faturat e ujit të shpenzuar në pjesën veriore.

“Në fakt, praktika që rryma dhe uji i shpenzuar në veri të paguhet nga taksapaguesit kosovarë, mendoj se është një padrejtësi elementare, e cila iu bëhet qytetarëve të Kosovës dhe bie ndesh me të gjitha konventat dhe standardet ndërkombëtare”.

“Është pabarazi, edhe sociale, edhe qytetare, që një pjesë e qytetarëve t‘i paguajnë faturat, ndërsa pjesa tjetër të mos i paguajë. E minojnë shtetin e Kosovës dhe njëkohësisht me taksat e qytetarëve të Kosovës, paguhen faturat e qytetarëve në veri”, thotë Gashi.

Subvencionimi për shpenzimet e ujit për konsumatorët e asaj pjese nga Qeveria e Kosovës, konsiderohet si zgjedhje e papërshtatshme, edhe për Avokatin e Popullit, Hilmi Jashari.

“Në fund të fundit edhe subvencionet janë pjesë që nxirren nga taksat e qytetarëve të vendit, pavarësisht se kush janë ata. Dhe, nuk mundet një pjesë të ngarkohet dhe një pjesë tjetër të konsiderohet që duhet të përkrahet me subvencione, pasi që kemi të bëjmë me të njëjtin mall, pra me ujin, që paguhet si shërbim publik”, shprehet Jashari.

Për shkak të mospagesës dhe borxheve, në viset tjera kompanitë e ujit zakonisht aplikojnë masa ndëshkuese, duke i shkyçur nga rrjeti konsumatorët borxhlinj. Por, një gjë e tillë nuk ndodh në veri.

Hysni Feka potencon faktin se problemi i mospagesës së faturave të ujit nga banorët e pjesës veriore, është, sipas tij, problem politik. Ai tregon se kompania rajonale “Mitrovica”, për shkak të borxheve ka tentuar disa herë t’i shkëpusë nga rrjeti i furnizimit të ujit banorët e asaj pjese, por që gjithmonë ka ndërhyrë politika.

“Përmes presionit që i ka bërë Qeveria kompanisë së ujit, nuk është arritur asnjëherë të shkëputet pjesa veriore nga furnizimi i rrjetit të ujësjellësit”, thekson Feka.

Përveç mospagesës së faturave të ujit të shpenzuar, banorët e kësaj pjese, nuk paguajnë as faturat e energjisë elektrike, që llogariten 8 milionë euro në vit. Edhe për këtë çështje Avokati i Popullit kishte iniciuar hetime duke dërguar lëndën edhe në gjykatë. Kurse, Gjykata e Apelit ka marrë vendim që Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike të pezullojë vendimin që rryma e shpenzuar për atë pjesë, të faturohet për qytetarët e rajoneve tjera.

Kurse, ZRRE-ja ka vendosur që nga dhjetori i vitit të kaluar që faturat e energjisë elektrike për konsumatorë të llogariten 3.5 për qind më pak.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat