(E plotësuar) - Prokuroria e Shtetit ka sqaruar ndërlidhjen e aksionit të sotëm në veri të Mitrovicës ku u arrestuan dy policë në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Prokurori Njazi Rexha, i cili po heton rastin, ka konfirmuar se arrestimi i dy policëve ndërlidhet me mënyrën se si është ruajtur vendi i ngjarjes pas incidentit. Ata kanë qenë në detyrë ta ruajnë vendin e ngjarjes dhe nuk e kanë kryer detyrën e tyre siç duhet”, ka thënë Rexha .
Ai ka sqaruar se janë duke hetuar pasojat e veprimeve të policëve.
Lajmin për arrestimet e dy zyrtarëve policorë të Stacionit në Mitrovicën Veriore e bëri të ditur sonte Inspektorati Policor.
Sipas komunikatës së inspektoratit, këta zyrtarë u arrestuan nën dyshimin për manipulim me prova.
Inspektorati njofton se përveç arrestimeve, kanë bastisur dy lokacione në Mitrovicën Veriore me urdhër të prokurorit dhe gjykatës.
“Sot (10.02.2018) në orët e pasdites hetuesit e IPK-së dhe PK-së kanë zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe janë bastisur dy lokacione në Mitrovicën e Veriut”, thuhet në komunikatë.
Gjatë bastisjeve “është konfiskuar një revole e llojit TT si dhe dy karikatorë me nga 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme”.
Të arrestuarve u është caktuar ndalimi policor prej 48 orësh.
Politikani i serbëve të Kosovës dhe kryetari i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” Oliver Ivanoviq u vra në Mitrovicën Veriore më 16 janar.
Ai u varros një ditë më pas në Beograd.
Vrasja e tij është dënuar gjerësisht nga zyrtarët e BE-së, ata serbë dhe kosovarë.
Ai shihej një politikan i moderuar në Kosovë që përkrahte bashkëjetesën midis pakicës serbe dhe shumicës shqiptare.
Megjithatë, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, gjatë luftës së Kosovës për pavarësi. Ai e deklaroi veten të pafajshëm.
Serbia ka kërkuar përfshirje në hetimin për vrasjen e Ivanoviqit, ndërsa dy shtetet në mënyrë të tërthortë janë duke shkëmbyer informata për këtë vrasje,
* * * *
Policia e Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar dy zyrtarë policor në veri të Mitrovicës, si të dyshuar për veprën penale “Manipulim me prova”.
Më parë ishte raportuar se arrestimi i policëve ndërlidhet me vrasjen e Oliver Ivanoviçit, që ka ndodhur në janar të këtij viti në veri të vendit.
Komunikata e Policisë:
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar sot dy të dyshuar duke realizuar edhe dy bastisje në bashkëpunim me Policinë e Kosovës (PK) dhe në konsultim me prokurorinë kompetente.
Me autorizim të prokurorit dhe Gjykatës Themelore në Mitrovicë, hetuesit e IPK-së dhe PK-së kanë realizuar urdhëresën për bastisje në Mitrovicën e Veriut me dyshimin se dy zyrtarë policorë kanë kryer veprën penale “Manipulim me prova” të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Sot (10.02.2018) në orët e pasdites hetuesit e IPK-së dhe PK-së kanë zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe janë bastisur dy lokacione në Mitrovicën e Veriut si dhe është konfiskuar një revole e llojit TT si dhe dy karikatorë me nga 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme.
Me vendim të prokurorit të shtetit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar dy të dyshuar (dy zyrtarë policorë të stacionit policor në Mitrovicën e Veriut) dhe të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore.