Në vjetorin e rënies Mitrovica përkujton Avni Shabanin e Rifat Zenelin - Bota Sot
Në vjetorin e rënies Mitrovica përkujton Avni Shabanin e Rifat Zenelin

Mitrovica

E diel, 21 tetor 2018

Në vjetorin e rënies Mitrovica përkujton Avni Shabanin e Rifat Zenelin

Më: 15 shtator 2018 Në ora: 20:16
Akademi përkujtimore në 20 vjetorin e rënies të heroit të Kosovës, Avni Shabani dhe dëshmorit Rifat Zenel

Në Mazhiq të Shalës së Bajgorës është mbajtur Akademi përkujtimore në 20 vjetorin e rënies të heroit të Kosovës, Avni Shabani dhe dëshmorit Rifat Zeneli, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Përveç qindra qytetarëve të këtij fshati, të rajonit të Shalës së Bajgores, Mitrovicës e më gjerë, në akademi ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, familjarë të heroit e dëshmorit, bashkëluftëtarë të tyre dhe shumë personalitete të tjera.

Bahtiri, i cili edhe me këtë rast tha Shala e Bajgorës ka dhënë shumë luftëtarë trima, heronj e dëshmorë dhe se ai është krenarë me njerëzit e këtij rajoni.

“Luftëtarët e lirisë, Avni Shabani dhe plaku Rifat Zeneli, u dalluan për guximin dhe trimërinë e treguar në luftë kundër pushtuesit. Ata janë dy emblema të Komunës së Mitrovicës që do të kujtohen me krenari përgjithmonë”, tha ai.

Ai ka folur edhe për kufijtë.

“Sot Beogradi po e kërkon veriun e Kosovës dhe pasuritë më të mëdha të vendit që gjenden atje. Disa njerëz në Prishtinë nuk po tregohen të denjë për ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës, por unë ju garantoj se ju dhe Mitrovica në përgjithësi nuk do të lejojnë ndarjen e saj e as të Kosovës. Prandaj, kërkoj nga Kadri Veseli që të na bashkëngjitet o sot o kurrë për mbrojtjen e çdo pëllëmbe të tokës së Kosovës. Unë besoj se jemi në një vijë në këtë drejtim e për këtë qëllim”, tha Bahtiri.

Image

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli lartësoi figurat e Avni Shabanit dhe Rifat Zenelit, për të cilin tha se institucionet e Republikës së Kosovës, së shpejti do ta shpallin edhe këtë hero të Kosovës.

“Kemi dhënë shumë për këtë Kosovë dhe prandaj të gjithë duhet të jemi bashkuar për zhvillimin e saj, ashtu sikur ishim të bashkuar kur luftuam për çlirimin e saj. Sakrifica e madhe e popullit, është garancia më e madhe se Kosova do të jetë një. Sovraniteti i Kosovës në tërë territorin e saj është i pa prekshëm”, tha Veseli.

Sipas tij, ka ardhur koha që Kosova të flet për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe për mbrojtjen e këtyre të drejtave.

Në akademi për luftën që është bërë në këto hapësira, foli komandanti i Brigadës 141 “Mehë Uka”, të Zonës Operative të Shalës së Bajgorës, ndërsa për jetën dhe veprën e heroit Avni Shabani dhe dëshmorit Rifat Zeneli, foli bashkëluftëtari i tyre, profesor Asllan Istrefi.

Kurse në Stantërg të Mitrovicës u zbulua pllaka përkujtimore për dëshmorët dhe martirët e rënë për liri.

Në ora 11:00, në fshatin Stantërg, përkatësisht në lagjen Xenaj të këtij fshati, është zbuluar pllaka përkujtimore e dëshmorit Enver Ferizi dhe martirëve Halim Ferizi e Rizah Selaci, ku ishin mbledhur qindra qytetarë të fshatit, Shalës së Bajgorës dhe Mitrovicës e më gjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test