17 familje përfituese vendosen në ndërtesën për raste sociale në Stantërg - Bota Sot
17 familje përfituese vendosen në ndërtesën për raste sociale në Stantërg

Mitrovica

E hënë, 22 tetor 2018

17 familje përfituese vendosen në ndërtesën për raste sociale në Stantërg

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 16:47
Familjeve përfituese çelësat e banesave ua ka dorëzua kryetari i komunës Agim Bahtiri.

Në ndërtesën në Stantërg, dedikuar rasteve sociale sot janë vendosur 17 familjet përfituese që i ka përzgjedhur komisioni komunal për ndarjen e këtyre banesave.

Familjeve përfituese çelësat e banesave ua ka dorëzua kryetari i komunës Agim Bahtiri.     

Ai me këtë rast tha se ndihet tepër i lumtur që po ua dorëzon çelësat e banesave këtyre familjeve, të cilat nuk e kanë pasur të zgjidhur çështjen e banimit dhe të cilat kanë pas gjendje të rëndë ekonomik- sociale.

“Komuna dhe institucionet tjera nuk do t’ju harrojnë, por do të bëjnë çmos që të ju mbështesin dhe ndihmojnë edhe për zgjidhjen e problemeve tjera që e rëndojnë jetën tuaj. Dua të falënderoj edhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila i ka siguruar mjetet për ndërtimin e këtyre banesave, ndërsa që Komuna ka siguruar tokën dhe do të përkujdeset edhe për të rregulluar hapësirën përreth ndërtesës”, tha kryetari Bahtiri.

Ai ka bërë të ditur se komuna  do të realizojë edhe projekte të tjera për zgjidhjen e problemit të strehimit dhe për familjet me gjendje jo të mirë ekonomiko- sociale.

“Këto ditë pritet të filloi projekti për ndërtimin edhe të gjashtë shtëpive për familjet me gjendje të vështirë sociale, për çka komuna ka siguruar tokën, ndërsa që ndërtimin do ta bëjnë  disa kompani që kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në këtë drejtim”, u shpreh Bahtiri.

Familjet e vendosura në banesat e reja në veçanti falënderuan kryetarin Bahtiri për angazhimin dhe përkushtimin e tij për t’ua zgjidhë çështjen e strehimit, duke theksuar se tani e tutje familjarët e tyre do të kenë një jetë me më pak brenga dhe me më shumë mundësi për shkollimin e fëmijëve të tyre, pasi që ata kanë kushte të mira për mësim.

Ndërtimi i 17 banesave për familjet në gjendje të vështirë ekonomike- sociale ka kushtuar rreth 300 mijë euro, mjete këto të siguruara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndërkohë që komuna ka siguruar tokën për ndërtim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test