Bahtiri paralajmëron “koncert madhështor mbi Ibër ku do të bëhet bashkimi i qytetit”

Mitrovica

Bahtiri paralajmëron “koncert madhështor mbi Ibër ku do të bëhet bashkimi i qytetit”

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 14:59
Agim Bahtiri dhe Ervin Hartman

Të mërkurën në ambientin e komunës së Mitrovicës, kryetari Agim Bahtiri, ka mirëpritur komandantin e Batalionit Rajonal të KFOR-it për Veriun e Kosovës, nënkolonel Ervin Hartman, i cili ishte i shoqëruar me udhëheqësen e këtij Divizioni, Isabel Quintero, dhe me bashkëpunëtorë të tjerë.

Me këtë rast, të pranishmit kanë biseduar për situatën e përgjithshme të sigurisë që po mbretëron në qytetin e Mitrovicës, me theks të veçantë për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Fillimisht Bahtiri ka falënderuar komandantin e KFOR-it, për kontributin e tij dhe të ushtarëve të tij për Mitrovicën, ku tha se falë angazhimit të drejtuesve të komunës dhe mbështetjes së parezervë të KFOR-it dhe institucioneve tjera vendore dhe ndërkombëtare, “situata e sigurisë në komunën e Mitrovicës, është shumë më e mirë dhe ka shkuar drejt një stabilizimit të plotë”.

Ai po ashtu foli edhe për rëndësinë e hapjes së urës të lumit Ibër, ku theksoi se ajo duhet të bëhet në mënyrë madhështore e jo me tensione.

“Ne kemi punuar gjatë së bashku me drejtuesit e komunës në veri të qytetit, që situata e sigurisë, lëvizja dhe qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave të përmirësohen. Falë kësaj pune, por edhe komunikimit, bashkëpunimit dhe mbështetjes që kemi pas nga komandanti i paqeruajtësve të KFOR-it për veriun e Kosovës, sot në tërë Mitrovicën kemi një situatë shumë më të relaksuar, e cila po shkon me hapa të sigurt drejt stabilizimit të plotë”, ka thënë Bahtiri, duke i dhënë garanci të plotë komandantit të KFOR-it që nuk do të ketë destabilizim të situatës sepse e vetmja rrugë është paqja, “pra ky do të jetë edhe modeli im”.

Ai shtoi se “ne kemi punuar gjatë edhe në këtë drejtim që nga viti 2014, ku kemi pas peripeti të ndryshme duke negociuar vazhdimisht me shtetin e Serbisë lidhur më hapjen e urës”.

“Ne tani jemi në proces për planifikimin e një koncerti madhor, ku pritet të marrë pjesë njëri ndër këngëtarët më me renome botërore, dhe nëpërmjet këtij mitingu të bashkohet qyteti i Mitrovicës”, ka thënë Bahtiri.

Komandanti i KFOR-it, nënkolonel Ervin Hartman tha se ndjehet mirë kur dëgjon për përparime në përmirësimin e situatës së sigurisë në komunë. Ai shtoi se, duke marrë parasysh faktin se stabilizimi i plotë i gjendjes së sigurisë në qytetin e Mitrovicës dhe krijimi i kushteve për lëvizje e qarkullim të lirë, është i domosdoshëm për t’i përmirësuar raportet ndëretnike, “ne do të vazhdojmë të ju përkrahim dhe do të punojmë sërish së bashku në mënyrë që të kemi një zhvillim të mirëfilltë ekonomik dhe ta përmirësojmë dukshëm cilësinë e jetesës së njerëzve në këtë qytet”.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat