Bahtiri tregon se po bëhen përgatitjet për hapjen e urës mbi Ibër - Bota Sot
Bahtiri tregon se po bëhen përgatitjet për hapjen e urës mbi Ibër

Mitrovica

E premte, 19 tetor 2018

Bahtiri tregon se po bëhen përgatitjet për hapjen e urës mbi Ibër

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 12:01
Agim Bahtiri dhe Bejtush Gashi

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Bejtush Gashi, vizitoi komunën e Mitrovicës, ku u prit nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri, me ç’rast biseduan për situatën e përgjithshme në Komunë, me theks të posaçëm për atë të sigurisë. Në takim ishin të pranishëm edhe nënkryetari i komunës, Faruk Mujka dhe këshilltari i ministrit, Gjergj Beka.

Kreu i Mitrovicës tha se falë maturisë dhe përkushtimit të qytetarëve, angazhimit maksimal të strukturave e institucioneve komunale dhe bashkëpunimit të mirë e të suksesshëm me organet e rendit, situata e sigurisë në Komunë është e qetë dhe stabile.

Në vazhdim, Bahtiri e njoftoi Gashin lidhur me projektin e BE-së për rehabilitimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, për të cilin tha se ai në cepin jugor të urës është kryer para më shumë se një viti, ndërsa që para ca ditësh ka përfunduar edhe në cepin verior të urës.

”Jemi në bisedime e sipër për organizimin e ceremonisë së inaugurimit dhe hapjes së urës për lëvizje, qarkullim të lirë të njerëzve dhe automjeteve. Lidhur me këtë kemi biseduar në një takim të përbashkët ku ishim të pranishëm unë, kryetari i Mitrovicës Veriore dhe shefja e Zyrës së  BE-së në Prishtinë, Natalyia Apostolova dhe shpresoj se do të merremi vesh për organizimin e ceremonisë inauguruese sa më shpejtë që është e mundur dhe që kjo të bëhet në mënyrë paqësore e pa probleme”, tha ai.

I pari i Mitrovicë e njoftoi ministrin e brendshëm edhe për idenë që në ditën e organizimit të ceremonisë inauguruese të urës, të organizohet edhe një koncert me ndonjë këngëtar të famshëm, të njohur ndërkombëtarisht, në të cilin do të merrnin pjesë qytetarët e të dyja komunave dhe të të gjitha përkatësive etnike, për të përçuar kështu mesazhin e paqes dhe për të treguar përkushtimin për integrim.

Po ashtu, Bahtiri, kërkoi nga ministri Gashi, që në vendbanimet që i takojnë komunës së Mitrovicës Jugore, që ndodhen në pjesën veriore të lumit Ibër, të mbulohen nga pjesëtarët e stacionit jugor të policisë, e jo atij verior.

Ministri Bejtush Gashi, pas fjalës së kryetarit Bahtiri, tha se i vjen mirë që dëgjoi për punën e madhe që është bërë në stabilizimin e gjendjes dhe për rezultatet shumë të mira të arritura.

Ai tha se Ministria e Punëve të Brendshme do të mbështesë qytetarët e Komunës së Mitrovicës dhe udhëheqjen e saj maksimalisht për të mbajtur këtë trend pozitiv dhe për të krijuar  një ambient akoma më të sigurte për të gjithë qytetarët.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test