Si vidhen qytetarët dhe shteti në qendër të Mitrovicës

Mitrovica

Si vidhen qytetarët dhe shteti në qendër të Mitrovicës

Më: 15 tetor 2018 Në ora: 10:36
Pamje nga Mitrovica

Shumë afër Administratës Tatimore, në qendër të qytetit të Mitrovicës, parkingu me kapacitet prej qindra automjetesh që menaxhohet nga Kompania ‘Omni Sport’, po i ikë tatimit ndaj shtetit, duke mos iu dhënë klientëve kuponë fiskalë.

Madje qytetarët ankohen se për shërbime të larta prej 1 euro (edhe nëse e lën automjetin 5 minuta v.j.), atyre nuk u ofrohen fare tiketa, që lë hapësirë për keqpërdorim të mjeteve nga ana e vetë punëtorëve të këtij parkingu.

Një qytetar, i cili deshi të mbetet anonim, u ankua se të dielën, pasi kishte dalë me automjetin e tij nga ky parking, jo që s’kishte marrë kupon fiskal, por as tiketë fare.

“Është shtrenjtë. E lash automjetin rreth gjysmë ore dhe kur dola paguajta 1 euro, ndërsa nuk mora tiketë fare”, tha ai.

Përvojë të keqe pati të dielën edhe vetë kp. Pas pyetjes që i parashtroi njërit prej punëtorëve se çka bëhet me paratë dhe tiketat të cilat nuk i marrin qytetarët, ky i fundit iu përgjigj se tiketat mbeten në kabinën e tij.

“Allahile mos më lodhë, ik prej këtu, shkruaj, bëj çka të duash”, u përgjigj i revoltuar punëtori, ndërsa pas insistimit, gazetari megjithatë mori tiketën.

Drejtori i ‘Omni Sport’-it, Nysret Qubreli, ka bërë të ditur se kompania të cilën ai e udhëheqë  ka aplikuar për arkë fiskale dhe është në pritje të saj, ndërsa premtoi se do të marrë masa ndaj të gjithë punëtorëve që bëjnë keqpërdorime në punë.

“Unë kam marrë kompaninë nën menaxhim që një muaj dhe kam aplikuar për arkë fiskale menjëherë. Shpresoj se brenda 10 ditëve do të kemi pajisje elektronike fiskale dhe do të lëshojmë kuponë fiskalë për shërbime të qytetarëve. Po ashtu, do të marrë masa ndaj të gjithë atyre që bëjnë keqpërdorime në punë”, ka thënë Qubreli.

Ndryshe, duke pasur parasysh qarkullimin financiar jashtëzakonisht të lartë ditor në këtë parking, tiketat që marrin qytetarët janë shumë të thjeshta dhe lehtë për t’u fotokopjuar apo falsifikuar nga palët e interesuara. Në to madje nuk evidentohen targat dhe as koha kur ka hyrë automjeti.

Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat