“Shou” i Agim Bahtirit për hapjen e urës së Ibrit, komuna nuk është në dijeni për asgjë - Bota Sot
“Shou” i Agim Bahtirit për hapjen e urës së Ibrit, komuna nuk është në dijeni për asgjë

Mitrovica

E martë, 20 nëntor 2018

“Shou” i Agim Bahtirit për hapjen e urës së Ibrit, komuna nuk është në dijeni për asgjë

Më: 23 tetor 2018 Në ora: 18:01
Ura mbi lumin Ibër

Hapja e urës mbi lumin Ibër po e gëzon tej mase kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtirin. Madje, ai po thotë se kjo do të bëhet me një koncert madhështor ku do të përformojnë edhe yjet botërore të muzikës.

Është bërë një kohë e gjatë që prej se kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, kishte thënë se hapja e urës mbi lumin Ibër “do të bëhet së shpejti”.

Tash, kur deklaratat e tij u duk se morën formë,  prapë rivitalizimi i urës mbi lumin Ibër nuk pritet të ndodhë aq shpejtë sa ai kishte deklaruar.

Zëdhënësja e Komunës së Mitrovicës Jugore, Blerina Kastrati Idrizi, tha sot për media se ende nuk ka ndonjë datë se kur do të bëhet hapja e shumëpritur.

“Ende nuk kemi ndonjë datë të saktë. Ky proces është në koordinim dhe konsultim edhe me Mitrovicën e Veriut”, ka thënë ajo.

Se çështja e urës mbi Ibër mund të ketë komplikime,  po e thonë edhe ekspertët e sigurisë.

Avni Islami, njohës i këtyre çështjeve, deklaratat e Bahtirit i quan politike.

Ai për media tha se ekziston një skepticizëm sa i përket hapjes së urës së Ibrit, ngase sipas tij një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm me pajtimin politik mes dy vendeve.

“Deklaratat e Agim Bahtirit dhe deklaratat e zyrtarëve tjerë lidhur me urën e Ibrit, thjeshtë janë deklarata politike. Por që vërtetë politika u prin proceseve të ndryshme. Në aspektin e sigurisë, sa i përket hapjes së urës së Ibrit, unë jam skeptik se mund të bëhet sepse e gjithë kjo është çështje politike. Unë më tutje nuk pres që të hapet ura e Ibrit në kuptimin e plotë, sepse kjo do të hapet pikërisht atëherë kur të bëhet pajtimi politik dhe kur politika e Beogradit dhe Kosovës do të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe një normalizim afatgjatë”, thotë ai.l

Tutje, Islami thotë se problematikë e theksuar për rivitalizimin e Urës së Ibrit janë edhe strukturat paralele dhe mafioze që funksionojnë në veri të vendit.

Sipas tij, ura mbi Ibër do të mbetet ashtu siç është tani.

“Përderisa nuk ka një normalizim të tillë, unë nuk pres që ura e Ibrit të hapet dhe kësisoj edhe ura të ndikojë në normalizimin e marrëdhënieve, pra është e kundërta. Ura e Ibrit do të jetë problem sepse edhe më tutje në veriun e Kosovës funksionojnë  strukturat e padukshme të Serbisë qoftë të policisë qoftë të intelegjencës. Nuk do të pajtohesha me mendimin e Bahtirit, ngase nga aspekti i sigurisë, ura do të mbetet ashtu siç është”, përfundoi Islami.

Lidhur me të njëjtën çështje, Agim Bahtiri po pretendon se u kërcënua nga disa persona të nacionalitetit serb.

Ai po thotë se dikush është kundër bashkimit  të Mitrovicës, mirëpo se këtë do ua lë organeve të hetuesisë.

Media ka tentuar të flasë edhe me kryetarin Bahtiri, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm të deklarohet për një çështje të tillë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test