Bahtiri, porosit nga Boletini: Mos me prekni Mitrovicën dhe territorin e Kosovës!

Mitrovica

Bahtiri, porosit nga Boletini: Mos me prekni Mitrovicën dhe territorin e Kosovës!

Më: 27 tetor 2018 Në ora: 14:34
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri

(E plotësuar) - Në kompleksin e kullave të heroit Isa Boletini, në fshatin Boletin në veri të Kosovës, u shënua sot edicioni i pestë i Ditës së Plisit, ku përveç familjarëve të heroit dhe strukturave komunale, morën pjesë edhe shumë mysafirë nga të gjitha trevat shqiptare.

Manifestimi ka nisur me homazhe tek shtatorja e Isa Boletinit në Mitrovicë, ndërsa në Boletin nuk munguan as muzika folklorike me lahutë e çifteli, poezitë kushtuar heroit e plisit, si dhe vallet popullore.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, veç tjerash foli edhe rreth ndarjes së Mitrovicës.

Sipas tij, derisa qyteti i Mitrovicës të jetë gjallë, një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë.

Bahtiri: Kërcënimet nuk më frikësojnë, ato më bëjnë më të fortë

“Dikush dëshiron ta ndaj Mitrovicën, ta ndaj këtë territor komplet. Por ta dini se sa të është gjallë qyteti i Mitrovicës dhe i Isa Boletinit, nuk do të ndodhë kjo… Kërcënimet nuk më frikësojnë absolutisht, veç më bëjnë më të fortë”, ka thënë Bahtiri.

Rrezarta Loxha-Vitaku, drejtoreshë e Qendrës Rajonale e trashëgimisë kulturore në Mitrovicë, ka përgëzuar organizatorët e manifestimit për shkak të zgjedhjes që ky manifestim të mbahet pikërisht në Boletin.

Image

Loxha-Vitaku: Isa Boletini, imazh emblematik pikërisht për shkak të plisit

“Ju them sinqerisht, edhe po të kishim kërkuar gjithandej trojeve shqiptare, zor se do të gjenim ndonjë vend më meritor për ta përmbyllur këtë manifestim, sesa vendin ku ndodhemi sot, pra këtu në Boletin…Sigurisht që ne këndej pari dhamë edhe Hasan Prishtinën e ndonjë tjetër tribun, por Isa i Boletinit është ai imazhi emblematik që na është ngulitur në kujtesën mbarëkombëtare për momentet e shpalljes së pavarësisë. E kjo në radhë të parë për shkak të plisit”, theksoi Loxha-Vitiku.

Gazmend Boletini, stërnipi i heroit kombëtar, duke folur për rëndësinë e plisit, tha se Isa për 35 vite me radhë ka nderuar veshjen kombëtare dhe plisin, jo vetëm në trojet shqiptare, por gjithandej në botë.

Boletini: Isa nderoi plisin gjithandej në botë

“Isa 35 vite radhazi e nderoi veshjen kombëtare, opingat e tij, xhamadanin dhe plisin e tij. Jo vetëm në Kosovë dhe trojet shqiptare, por edhe në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

***

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se dikush dëshiron ta ndajë Mitrovicën dhe territorin e Kosovës, mirëpo siç tha ai një gjë e tillë nuk do të ndodh.

Bahtiri këtë deklaratë e bëri në manifestimin gjithëkombëtar “Dita e Plisit”, i cili u mbajt në kullën e heroit kombëtar Isa Boletini, në fshatin Boletin të Mitrovicës.

Bahtiri nga kulla e Boletinit, iu dërgoi të fala atyre që duan ta ndajnë Mitrovicën dhe Kosovën, duke  iu thënë se ‘goxha punë do t’iu dal’.

“Dikush dëshiron të na ndajë Mitrovicën, e këtë territor. Por, ta dini se sa është gjallë qyteti i Mitrovicës dhe Isa Boletini kjo nuk do të ndodh. Kemi amanet nga ata qe kanë rënë për këtë tokë. Bahtiri do t’ju prin deri në fund, pavarësisht kërcënimeve se askush s’më frikëson. Ju bëj të fala atyre që mos ta prekin Mitrovicën dhe territorin e Kosovës se goxha punë do t’iu dal me neve”, ka thënë Bahtiri.

I pyetur se kur do të bëhet përurimi i rivitalizimit të Urës së Ibrit, ai shkurt tha: “Ura ka me u hap”.

Pavarësisht deklaratave mediatike të kryetarit Bahtiri, edhe pse punimet për revitalizimin e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë kanë përfunduar, ende nuk dihet saktë se kur do të bëhet përurimi i saj në mënyrë që qytetarët nga të dy anët e qytetit të mund të lëvizin lirshëm.

Ndryshe, kanë kaluar dy vite që nga fillimi i punimeve për revitalizimin e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, në bazë të marrëveshjes së arritur më 25 gusht 2015, mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, që përkon me lirinë e lëvizjes.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat