Në Mitrovicë u mbajt tryezë me temë dhunën në familje - Bota Sot
Në Mitrovicë u mbajt tryezë me temë dhunën në familje

Mitrovica

E shtunë, 17 nëntor 2018

Në Mitrovicë u mbajt tryezë me temë dhunën në familje

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 18:40
Në Mitrovicë u mbajt tryezë me temë dhunën në familje

Në organizim të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Mitrovicës së Jugut, sot në Qendrën e Kulturës ”Rexhep Mitrovica”, në Mitrovicë,  është mbajtur tryeza  “Bashkë kundër dhunës”.

Komuna e Mitrovicës, qëllimi i kësaj tryeze ishte  idtifikimi, parandalimi, vetëdijesimi dhe ndërgjegjësimi kundër dhunës në familje, njofton kumtesa komunale.

Në tryezë kanë marrë pjesë kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqyri Syla, zëvendësministri i Drejtësisë, Naim Qela, drejtoresha e Drejtorisë së Policisë Rajonale të Mitrovicës, Afërdita Mikullovci, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava dhe përfaqësues të institucioneve tjera dhe të shoqërisë civile.

Në fjalën e saj, nënkolonelja Afërdita Mikullovci tha se  është mirë që sot jemi bërë bashkë kundër dhunës në familje, kundër kësaj dukurie negative,  e cila fatkeqësisht është shtrirë në shoqërinë tonë, andaj është më se e domosdoshme që të gjitha institucionet relevante të angazhohen dhe mobilizohen, duke ndërmarrë aktivitete të shumta e të ndryshme për vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin e të gjithëve kundër dhunës në familje.

Sipas komunikatës, kryetari Agim Bahtiri tha se është brezi i ri dhe gjeneratat e reja që duhet të kenë rol dominues në luftimin e dhunës në familje.

Më tutje Bahtiri shtoi se  për krijimin e një  shteti demokratik duhet të  raportohen  rastet e dhunës në familje dhe të sigurohet e drejta e barazisë gjinore.

“Për të ndërtuar një shtet evropian përmes organeve kompetente duhet të bëhet luftimi i kësaj dukurie. Shfrytëzoj rastin të apeloj tek të gjithë, që të ngritin zërin ndaj kësaj të keqe  dhe është femra ajo e cila duhet të ketë guximin dhe mos të hezitojë të ngrit zërin ndaj kësaj dukurie të shëmtuar. Unë besoj në punën e Policisë së Kosovës në trajtimin e këtyre rasteve dhe  kërkoj nga organet kompetente që të dënohet ashpër dhuna në familje. Pres që nga kjo tryezë të reflektojmë me pozitivitet dhe të respektohet barazia gjinore”, citohet të ketë thënë Agim Bahtiri.

Ndërsa, zëvendësministri  i Ministrisë së Drejtësisë, Naim Qela, po ashtu koordinator nacional i strategjisë për dhunën në familje, ka theksuar se dhuna në familje është shqetësim për tërë shoqërinë, andaj identifikimi i hershëm i kësaj dukurie në familje krijon mundësinë për parandalimin e saj në shoqëri. “Dhuna në familje konsiderohet si vepër penale  dhe dënohet ashpër nga nivelet e drejtësisë”, tha ai.

Ndërsa kryeprokurori Syla ka thënë se ndaj dhunës në familje, ku kryesisht viktima janë gratë dhe fëmijët, nuk guxon të ketë tolerancë.

“Reagimi i policisë dhe institucioneve tjera duhet të jetë i menjëhershëm dhe efikas, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të parandalohet dhe luftohet dhuna në familje”, theksoi kryeprokurori i Mitrovicës.

Kurse, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava,  ka folur edhe për qëndrimet e fesë ndaj kësaj dukurie.

“Feja Islame ngritë lartë figurën e femrës. Në të gjitha ligjëratat  nëpër xhami  bëhet thirrje për respektin që duhet pas femra dhe familja si themele të shoqërisë” ,  citohet të ketë thënë Naim Tërnava.

Diskutuesit  u dakorduan  se zhdukja e të gjitha formave të dhunës në familje duhet të jetë mision që duhet realizuar, ashtu që në këtë drejtim të angazhohen të gjitha institucionet përkatëse lokale e qendrore, shoqëria civile, OJQ-të, asociacionet e ndryshme, por edhe vet qytetarët, thuhet mes tjerash në njoftimin komunal.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test