Deklarohen të pafajshëm vjehrri dhe burri që akuzohen se rrahën nusen për dy euro - Bota Sot
Deklarohen të pafajshëm vjehrri dhe burri që akuzohen se rrahën nusen për dy euro

Mitrovica

E premte, 16 nëntor 2018

Deklarohen të pafajshëm vjehrri dhe burri që akuzohen se rrahën nusen për dy euro

Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 14:54
Seanca

Të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Z.Xh dhe djali i tij, M.Xh, janë deklaruar të pafajshëm, të premten, në seancën fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj.

Babë e bir akuzohen se pas një mosmarrëveshjeje për shkak se Z.Xh i kishin humbur dy euro, ai së bashku me djalin e tij, M.Xh, i kishin shkaktuar lëndime trupore nuses, tani të dëmtuarës V.B.Xh.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Sahit Tmava, Z.Xh ka deklaruar se kjo çështje kishte marrë fund njëherë në gjykatë dhe se thirrja gjyqësore për ta po paraqet shqetësim.

Gjykatësi i rastit Mentor Hajraj, i njoftoi të akuzuarit se gjykata, për të siguruar të dëmtuarën nga lëndimi eventual në të ardhmen kishte lëshuar urdhër mbrojtje në departament civil, por se tani janë duke u ndjekur penalisht për veprën e kryer.
Përderisa i akuzuari i dytë, M. Xh që në kohën e kryerjes së veprës ishte bashkëshort i të dëmtuarës, në seancën e të premtes, ka deklaruar se me të dëmtuarën nuk kishte asgjë të keqe dhe se ishin pajtuar.

Pas deklarimit të pafajësisë nga të akuzuarit, gjykata i ka njoftuar ata se në afat prej 30 ditësh mund ta kundërshtojnë aktakuzën apo të paraqesin kërkesë për hudhjen e saj.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 12 tetor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Z.Xh dhe M. Xh, duke i ngarkuar me kryerjen e veprës “lëndim i lehtë trupor”.

Sipas aktit akuzues, më 24 korrik 2018, rreth orës 18:30, në fshatin Makermal, Komuna e Skenderajt, të njëjtit i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarës, V.B. Xh, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Duke u bazuar në aktakuzë, pas një grindje paraprake me të dëmtuarën, pasi që i pandehuri i parë kishte humbur një shumë të parave, kishte filluar ta godas të dëmtuarën dhe ta shtrëngojë për fyti me duar.

Më pas, siç thuhet në aktin akuzues, e ka goditur me grushte dhe me këmbë.
Gjithnjë duke u bazuar në aktakuzë, edhe i pandehuri i dytë e ka goditur nëpër kokë dhe trup, me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore në kokë, buzën e epërme, nën syrin e majtë, në buzë, në qafë, në të dy krahët si dhe hermatom në ashtin e hundës.

Këto lëndime, sipas aktakuzës, janë shkaktuar nga mjeti i fortë mekanik dhe janë të karakterit të përkohshëm për shëndetin.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni  188 parag.3 në lidhje me parag.1 të KPRK-ës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test