Seancë e jashtëzakonshme për bashkimin e Mitrovicës - Bota Sot
Seancë e jashtëzakonshme për bashkimin e Mitrovicës

Mitrovica

Seancë e jashtëzakonshme për bashkimin e Mitrovicës

Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 20:05
Ura e ibrit

Pas kërkesë së parashtruar nga kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, për bashkimin e Mitrovicës, kryesuesi i kuvendit komunal Jeton Ujkani, ka thirrur për nesër seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite do të jetë inicimi për ndryshimin e Ligjit për kufijtë administrativë të komunave me qëllim të bashkimit të Mitrovicës.

Në arsyetimin e thirrjes së kësaj seance përmendet situata e krijuar pas dorëheqjes së kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe paralajmërimit të shuarjes të të gjitha institucioneve të Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës, dhe faktit se administrimi i qeverisjes lokale sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale të Kosovës më nuk ekziston, dhe qytetarët kanë mbetur nën mëshirën e fatit dhe pa shërbime të nevojshme për jetë.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut propozon që Kuvendi i Komunës të nxjerrë një konkluzion me të cilin propozohet inicimi i ndryshimit të Ligjit për kufijtë administrativë të komunave, me qëllim të bashkimit të Mitrovicës.

Me këtë i propozohet Qeverisë së Kosovës inicimi i procedurës së ndryshimit të Ligjit për kufijtë administrativë të komunave, ku në nenin 3, paragrafi 3 të fshihet teksti: “Kufiri në mes Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe Komunës Mitrovica e Jugut do të jetë vija e përcaktuar që do të kalojë nëpër zonën kadastrale të Suhodollit”.

Po ashtu, propozohet që në nenin 5, paragrafi 2, të fshihet fjalia: “me përjashtim të Komunës së Mitrovicës”, ndërsa teksti tjetër të mbetet, po ashtu në numrin rendor 29 të plotësohet me “Komuna e Mitrovicës me seli në Mitrovicë”.

Në nenin 5, propozohet të fshihet paragrafi 4 “Në komunën e tanishme të Mitrovicës do të themelohen dy komuna, komuna e Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut me zonat kadastrale të renditura në këtë ligj dhe me selitë e tyre në Mitrovicë”.

Po, ashtu propozohet të fshihet neni katër në tërësi ku shkruan se “Komuna e Mitrovicës së Veriut dhe komuna e Mitrovicës së Jugut formojnë një Bord të Përbashkët funksional. Bordi do të zhvillojë bashkëpunim funksional në sferat e kompetencave vetanake të komunave. Bordi do të përbëhet nga 11 anëtarë, me nga pesë përfaqësues të zgjedhur nga secila komunës dhe një përfaqësues ndërkombëtar i zgjedhur nga PCN, i cili kryeson Bordin. Përfaqësuesi i zgjedhur nga PCN, do të kryesojë Bordin”.

Për më tepër, propozohet edhe fshirja e nenit tetë në tërësi, në të cilin thuhet se “Bordi i Përbashkët funksional konstituohet brenda një afati të caktuar kohor pas konstituimit të kuvendeve komunale të komunave përkatëse, dhe do të zhvillojë bashkëpunim funksionale në bazë të marrëveshjes së komunave. Në rast se Bordi nuk konstituohet brenda një afati të caktuar kohor, kryesuesi i Bordit ushtron funksionet e përcaktuara në paragrafin 2 të nenit 7 të këtij ligji deri në konstituimin e Bordit”.

Ndryshe, kryetari i Komunës së Mitrovicë së Jugut Agim Bahtiri ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shfuqizojë vendimin për ndarjen e Mitrovicës në dy komuna dhe ribashkimin e qytetit, pas vendimit të pjesës veriore që të ndërpresë komunikimin me Republikën e Kosovës.

“Kërkoj nga Qeveria e Kosovës që t'i ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, që menjëherë të shfuqizohet vendimi për ndarjen e Mitrovicës në dy komuna. Qyteti i Mitrovicës tani duhet të bëhet me një komunë, ashtu siç ka qenë gjithmonë, ku në këtë situatë unë do të isha kryetar i Mitrovicës së bashkuar”, ka shkruar Bahtiri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test