Pastrohet deponia më e madhe në Mitrovicë - Bota Sot
Pastrohet deponia më e madhe në Mitrovicë

Mitrovica

Pastrohet deponia më e madhe në Mitrovicë

Më: 2 dhjetor 2018 Në ora: 18:44
Foto

Mbi 200 thasë me mbeturina janë mbledhur nga dhjetëra vullnetarë sot, që iu bashkuan aksionit të pastrimit te “Lagjia e Boshnjakëve” në Mitrovicë, afër Kolegjit IBCM dhe ETC-së, nga cila zonë për më shumë se 10 ditë radhazi janë larguar rreth 600 kamionë me mbetje të ndryshme nga disa deponi.

Aksioni i sotëm u realizua në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, ndërsa zgjati disa orë.

Përveç ekipit të ‘Let’s Do It Kosova’, aksionit iu bashkua edhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi dhe zyrtarë të tjerë nga MMPH, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe zyrtarë të tjerë komunal, si dhe disa punëtorë të Kompanisë ETC.

Edhe në aksionin e sotëm u bë thirrje që qytetarët ta rrisin vetëdijen e tyre për kujdesin ndaj mjedisit dhe të parandalojnë krijimin e deponive të tilla të mbeturinave nëpër zona të banueshme, pasi u rrezikohet edhe shëndeti.

Po ashtu, nga institucionet sërish u kërkua që të vazhdojnë me gjobitjen e ndotësve, në bazë të legjislacionit në fuqi, si masë parandaluese për ndotjen e hapësirave publike.

Përveç aksionit në Mitrovicë, i cili rezultoi me pastrimin e katër deponive, në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” sot u pastruan edhe tri deponi të tjera me makineri në rrugën Prishtinë – Pejë.

Kjo Fushatë do të vazhdojë në tërë Kosovën deri me 15 dhjetor, ku nga 15 shtatori e deri më tani janë pastruar rreth 600 deponi ilegale të mbeturinave.

Po ashtu, edhe sot ka vazhduar në Viti trajnimi “Ngritja e kapaciteteve të mësimdhënësve në fushën e mjedisit jetësor”, organizuar nga ‘Let’s Do It’, ku morën pjesë 35 mësimdhënës.

Ky trajnim që u organizua në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit në Viti, synon rritjen e fokusit të mësimdhënësve në temat që lidhen me edukimin mjedisor si dhe zhvillimin e aktiviteteve konkrete që promovojnë rëndësinë e ruajtjes së mjedisit jetësor. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test