Dimensioni psikologjik i këngëve kreshnike

Muzikë

Dimensioni psikologjik i këngëve kreshnike

Nga: Ramiz Spahiu Më: 4 korrik 2019 Në ora: 18:52
Ramiz Spahiu

Rebelimi i vazhdueshëm ndër shekuj kundër armiqve te popullit dhe trojeve arbërore, pikënisje kishte kullat tona. Ato ishin simbol i mikpritjes, besës dhe burrërisë tradicionale shqiptare. Shpatës e pushkës se varur në murin pranë oxhakut vazhdimisht u bënin shoqëri edhe lahuta e çiftelia, me të cilat u këndohej kreshnikëve tanë.

Këngët kreshnike janë thesar me vlera te shumëfishta letrare, artistike, kulturore e muzikore. Shume vargje te këtyre këngëve përmbajnë edhe vlera te njëmendta morale dhe edukative, madje ato kane edhe karakter te theksuar psikologjik. Dimensionet psikologjike dhe edukative te këto këngë janë mjaft te dukshme, te drejtpërdrejta dhe me shume vlera për psikologjinë dhe filozofinë edukative popullore.

Epika legjendare dëshmon se populli në këngë ka pasqyruar çfarë ka me te vyer, me te shtrenjtë ne karakterin dhe boten e brendshme shpirtërore, ne atë qe përcakton fizionominë morale, origjinalitetin e tij te përftuar neper shekuj. Si shprehje e vërtet e shpirtit te popullit, këngët kreshnike pasqyrojnë tipare psikologjike: nderi, besa, burrëria, mikpritja, por edhe dashuria për atdheun. “Nen ndikimin e tyre trimërohemi, marrim fuqi dhe njëkohësisht e urrejmë armikun.” Dhe si te tilla, këto këngë janë një gur i madh ne themel te psikologjise popullore edukative. Shpirti liridashës i njeriut duhet te kultivohet, duhet te trimërohet, prandaj, duke qene këngë te mirëfillta trimërie, këngët kreshnike “e burrërojnë njeriun, e bëjnë trim dhe i japin zemër.” Ato e ndihmojnë edukimin e personalitetit te të riut shqiptar, duke i rrënjosur dashurinë për atdheun, për njeriun, shokun, mikun, bashkëkombësin, moralin e traditën tonë kulturore dhe edukative.

Këngëtari popullor flet me simpati për pamjen fizike dhe fuqinë e kreshnikeve. Atë e thekson herë te njeri e herë te tjetri, por me shumë te Muji: /“ se ish kjen po Muji shumë për mnerë /dej ne prehen mustakët ju kin djerë / perzie i ki po vetulla e mustak / e prej syve gjithë pikojke gjak.” Dhe, si i tille ai ishte tmerr për armiqtë. Prandaj te lexuesi do te ngjalli dashuri ndaj trupit te shendosh e te fuqishëm. Meshkujt qe fizikisht janë dominant, imponohen me lehte në rrethin shoqëror, dhe kështu “brez pas brezi është formuar dominanca dhe agresiviteti mashkullor.” Ne këto këngë me po aq simpati flitet edhe për shpirtin fisnik e te paepur te Mujit, te edukuar me burrëri, trimëri, mençuri , maturi, bese e bujari.

Psikologjia e besës dhe besa si virtyt qenësor i etnisë shqiptare e përshkon epiken tone legjendare, dhe është një nga shtyllat kryesore te fizionomisë psikologjike te këngëve kreshnike. ,,Shqiptarët, shkruan Sami Frashri, janë shumë të forte në ruajtjen e moralit dhe të dokeve të stërgjyshërve të tyre e sidomos në ruajtjen e nderit dhe në çështjen e mbajtjes së premtimit që e quajmë ,,besë.” Besa në këngët kreshnike, ruhet me çdo kusht. Çohu djem, Tali u ka thane, /Besën Mujes, unë ia kam dhanë /Shpirt mas tina nuk e la pa dhanë!

Edhe lufta e kreshnikëve, qe theksohet shume here ne dyluftime, behej sipas rregullave dhe marrëveshjeve te mbështetura në besë. Ato nuk thyheshin edhe ne rastet kur vëllai apo bashkëluftëtari ndodhej ne rrezik. Kështu, derisa Halili luftonte me Jovanin, Muji i qetë pinte duhan ulur, pa luajtur nga vendi. Dhe, daja i tij i shqetësuar, kur e pa Halilin te lodhur tek i dilte shkumë nga goja, nisi t’i përvjel llëret dhe e nxori shpatën nga këllëfi. Por, atij shpejt ju ngërmua kryeplaku: / ‘’Dur, kadal-o, Tali i ka thanë, / Nja me nja, mejdani e ka !”

Gjeniu ynë popullor ne këngët kreshnike me një respekt te veçantë i këndoi besës shqiptare. Sipas tyre me mire është te jesh i vdekur se i pabese. Prandaj, ne përputhje me traditën tone te lavdishme kanunore, ato na edukojnë qe me lehtë te përqafohet vdekja se pabesia. /Ndal, Deli! Tali i ka thane /shtatëdhjetë vjet, unë rrafshue i kam /njeri n’dor, more, kurrë nuk mu ka pre!

Psikologjia e nderit dhe virtyteve te larta morale është pasqyruar mjaft mire ne këngët tona kreshnike dhe zë vend te veçantë ne themel te psikologjisë shqiptare. Duke përberë veçoritë me te rëndësishme te kësaj psikologjie, nderi i jep një origjinalitet sjelljes, veprimeve, qëndrimeve, ndjenjave dhe gjithë jetës se shqiptarit. Nder është te kryesh detyrën ndaj vendit dhe popullit tënd, te respektosh zakonet, virtytet morale, traditat e trashëguara nga te paret. Por ,,nderi me i larte është te luftosh për te mbrojtur pragun e shtëpisë, për te mbrojtur kullat tona, për te mbrojtur vendin nga armiqtë”.

Nderi, për shqiptarin është i shenjte, me i shtrenjte se jeta. Cenimi i nderit është i rende dhe i papranueshëm. /Për ni pune Paun, sa m’ka ardh keq /ma ke rrahë ti plakun niqin vjeç! Çnderimi për shqiptarin është me i rendë se vdekja. Me mire te vdesësh se sa te humbësh nderin e te jetosh me turp. Si te gjitha tiparet e psikologjise sonë “nderi është shndërruar ne zakon, ne ligj, ne kod ligjor, ne “kanunsi” shpirtërore”. Për çështje nderi, heronjtë e këngëve kreshnike edhe ne moshe te shtyrë e pleqëri te thellë, e ndonjëherë edhe me plagë në trup, ngiteshin nga shtrati ku lëngonin dhe i përgjigjeshin në dyluftim (mejdan) armikut: “Ta pash sherrin bre bij ne pleqni, /m’duhet tash me dale n’mejdan për ty!” Femra shqiptare ne këngët kreshnike është mjaft aktive, qoftë si nene, bije, motër, apo bashkëshorte. Ajo di te rris fëmijët, di te mbaj shtëpinë, di te ruaj nderin dhe te luftoi krahas burrave, “po i nimon Ajkuna e bardh, /bash si burrë çika po lufton!”.

Edhe pse disa kënge flasin për aftësitë individuale te kreshnikeve tanë, megjithatë nga shumica shihet se bashkimi bën fuqinë dhe ku është bashkimi, është fitorja. Prandaj, ato na edukojnë për bashkim, për unitet, na mësojnë psikologjinë organizative. Dhe, vetëm duke qenë të bashkuar e të pa përçarë dhe duke u përgjigjur në kushtrimin e dhënë, mund te përballemi me lehtë dhe te ja dalim ne krye me armikun: /,,Kushtrim, djalë, për me çetue! / Me i here trimat janë bashkue, / Treqind shoke mirë janë shtrëngue. “Kultura shqiptare tradicionale edukon respektin, mbështetjen dhe prioritetin ndaj moshave te vjetra, qëndrime këto te cilat sot, po zbehen gradualisht si rezultat i zhvillimeve te shpejta sociale dhe interferencës se kulturave tjera.” Kreshniket tanë për çështje te rëndësishme i konsultonin gjithherë prindërit, shokët me te vjetër dhe me te dijshëm: /….. e me Talin dert na do ta bajm ! / qesaj pune, Tale, qysh t’ja bajm ?” Ne disa raste Muji merrte edhe këso përgjigjeje: /,, për keso punesh bylykbash t’kem la, /Çka t’thush ti qashtu kem me ba.“ Ne përputhje me traditën tonë, ne këngët kreshnike flitet mjaft dendur dhe për bujarin , mikpritjen e bukë dhënien , si zakone tona te lashta: /“… Ti hip n’kulla ujë e bukë me t’tdhan /der shqiptare gjither a kjene zakon / kurrë udhëtarin pa bukë mos me lanë.”

Këngët kreshnike na edukojnë trimërinë, guximin dhe përbuzjen e frikës ne lufte për lirinë e atdheut. Edhe besimi ne Zot, si ndihmese psikologjike, e ruan gjakftohtësinë dhe mospërfilljen ndaj rrezikut ne lufte. “Besimet fetare, pavarësisht llojit, ndihmojnë forcimin e moralit luftarak dhe bëjnë qe me lehte te përballohet stresi i luftës.” Kështu në një rrethim, Halilit të dëshpëruar, Muji i drejtohet: E ngo ktu, baclok! – i ka thane, /dy dite ymër Zoti na i paste dhanë, /s’mundet kush kurrnja me na i marrë!

Këngët kreshnike lexuesi i përjeton thellë, i përcjell me emocione dhe e pret me padurim epilogun e ngjarjeve te tyre. U gëzohet sukseseve te heronjve, aq sa shumë herë nuk mund ti përmbaj as lotët. Dhe, s’ka se si te mos ndiesh emocione kur kreshniket e përbashkuar i dalin në ndihme vëllait, shokut, mikut e bashkëkombësit, por edhe drejtësisë, besës e traditës shqiptare. “Njohja sa me e mire e te kaluarës tonë dhe mbajtja e një motivi te përshtatshëm ne veprimtari patriotike e atdhetare do te ishte një nga pikënyjat kryesore për arritjen e suksesit te dëshiruar.” Gjatë leximit te këtyre këngëve ne edukohemi qe armikut ta urrejmë deri ne pakufi, e baras me te edhe hipokritet, njerëzit dyfytyrësh, te pabesët, përçarësit dhe tradhtaret. Këngët kreshnike ndikojnë fuqishëm në formimin e shpirtit liridashës të të rinjve. Aty ka shumëçka qe edukon edhe sot brezat. Edhe legjendari ynë Adem Jashari, i frymëzuar nga këto kënge, luftonte dhe këndonte.

Te shtojmë në fund: Këngët kreshnike kanë karakter thellësisht psikologjik dhe janë në shërbim te edukimit te njerëzve me veti te larta atdhetare, morale dhe virtyte fisnike. Përbrendësia e tyre prek dimensione te shumta te psikologjisë e veçanërisht të psikologjisë se edukimit, psikologjisë se personalitetit, psikologjisë se nderit, psikologjisë se besës etj. Ato janë një thesar i letërsisë popullore me përplot porosi mësimdhënëse dhe edukative për brezat, për çka vazhdimisht shfrytëzohen nga psikologjia edukative popullore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat