Flet këngëtari Hysni Hoxha: Sot kënga popullore ka shkuar në shtratin e vet të sigurt

Muzikë

Flet këngëtari Hysni Hoxha: Sot kënga popullore ka shkuar në shtratin e vet të sigurt

Nga: Albert Z. Zholi Më: 8 nëntor 2019 Në ora: 12:50
Hysni Hoxha

Ditët e fundit këngëtari mirënjohur Hysni Hoxha ka hedhur në treg video-klipin “O Librazhd të qofsha falë!”. Sipas tij kjo këngë është ndër më të bukurat e tij për vetë faktin, se e kishte ëndërr një këngë për qytetin e lindjes, por nga ana tjetër ai thekson bashkëpunimin bashkëpunimin e shkëlqyer me Jorgo Papingjin dhe Edmond Zhulalin.

-Si erdhi tek spektatori video klipi juaj i ri “O Librazhd, të qofsha falë”?

Ky video-klip është dhe do mbetet një ndër këngët më të bukura të jetës time. Këtë këngë-klip ia dedikoj qytetit tim të lindjes, Librazhdit të bukur që më rriti më edukoi formoi dhe më fali shumë dashuri. Në atë qytet njoha jetën, shkollën, edukimin, njoha rregullat e mirësjelljes dhe të shoqërisë. Ai qytet ka njerëz të mirë, të edukuar, patriotë dhe të ndershëm. Nëse kam ecur në jetë një falënderim të veçantë dua t’i dhuroj këtij qyteti që çdo gjë më fali pa kursim. Ndaj erdhi dita që unë t’ia shpërblej.

-Kush janë ata që të ndihmuan në realizimin me sukses të këtij video-klipi?

Në radhë të parë dua të falënderoj poetin Jorgo Papingji, i cili realizoi një tekst të shkëlqyer ashtu sie e mendoja dhe e dëshiroja unë. Po ashtu falënderoj kompozitorin Edmond Zhulali që bëri muzikën dhe orkestrimin perfekt të kësaj kënge. Ishte një bashkëpunim korrekt, serioz, i cili ma lehtësoi shumë punën dhe emocionet. Por njëkohësisht nuk mund të rri pa falënderuar shtëpinë e Kulturës “Sadi Halili” Librazhd, që u vu në dispozicion për gjithçka që unë kërkova për realizimin e video-klipit, Në të mori pjesë dhe grupi i valleve të Kuturmanit që ishte kurora më e bukur e këngës. Pra ishin disa elemente dhe disa bashkëpunëtorë në këtë sukses, ku nuk mund të lë pa përmendur Bashkinë Librazhd dhe Shtëpinë Diskografike “Europa Turist” Prishtinë,

-Ku sipas jush hasët pjesën më të vështirë të këtij videoklipi?

Ishte harmonizimi i të gjithë elementëve, pasi pati valle, pati lëvizje të ndryshme, terrene të ndryshme në Librazhd etj., ku çdo gjë kishte veçorinë e vet.

-Mendoni se ishte pengu juaj kjo këngë?

Po e tillë ishte, ndaj kërkoja me insistim ta realizoja. E bëra me shumë dashuri dhe besoj se fansat e mi do ngelen të kënaqur, madje edhe dashamirësit e këngës popullore nuk do të zhgënjehen.

–A mund të jetohet sot vetëm me këngë, me art?

Ka këngëtarë të mirë që jetojnë vetëm me këngë, por të jemi realist, sot numri këngëtarëve është rritur, konkurrenca po ashtu dhe rrethi i fitimit zvogëlohet. Vetë nuk e kam profesion të parë, edhe pse kam mbi 20 vjet në skenë dhe të gjithë më kërkojnë.

-Ju thatë se ka shumë këngëtarë, po pseudo-këngëtarë a ka?

Të tillë ka në çdo fushë, ka dhe pseudo-intelektualë ka dhe pseudo-politikanë. Por koha i çon në vend gjërat. Secili do marrë vetëm pjesën e diellit që i takon nga zoti.

-Përse kënga popullore sot ka marrë një përkrahje masive?

Populli me shijet e tij gjithmonë do shkojë aty ku është origjina. Në vitet 1990-98 pati një shkëputje nga kjo këngë. Në Shqipëri në këtë periudhë filluan të gëlojnë rryma të ndryshme të muzikës që e deformuan këngën tonë popullore. Por koha bëri të vetën. Sot kënga popullore ka shkuar në shtratin e vet dhe mbetet më e dashura për popullin tonë. Nuk kish si të ndodhte ndryshe.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat