“Skënderbeu”, opera e parë shqiptare në Maqedoninë e Veriut - Bota Sot
“Skënderbeu”, opera e parë shqiptare në Maqedoninë e Veriut

Muzikë

“Skënderbeu”, opera e parë shqiptare në Maqedoninë e Veriut

Më: 20 dhjetor 2019 Në ora: 13:21
Konferenca per media

Opera e Maqedonisë së Veriut do të mirëpresë për herë të parë një vepër shqiptare, operën ‘Skënderbeu’ nga Fatos Lumani, nën regjinë e Qëndrim Rijanit. “Kjo vepër do të jetë edhe aktiviteti i fundit që përmbyll vitin artistik në këtë institucion”, deklaroi drejtori i Operës së Maqedonisë së Veriut, Vaso Ristov.

Në një konferencën për shtyp të organizuar para premierës së shumëpritur, kompozitori Fatos Lumani tha se për këtë vepër janë dashur plot 2 vite punë dhe koordinim, me një staf prej të paktën 140 personash, vendas dhe të huaj, duke filluar nga trupa e aktorëve, baletit dhe deri tek stafi teknik i shfaqjes. 

Ai, gjithashtu theksoi se kjo shfaqje nuk ka frymë nacionaliste, por do të sjellë figurën e “Skënderbeut” bazuar mbi vepra dramaturgjike. Shfaqja do të ndahet në dy akte, ku pjesa e parë përfshin historinë e Skënderbeut gjatë qëndrimit në Turqi, ndërsa pjesa e dytë tregon rikthimin e tij në Shqipëri.

Qëndrim Rijani, regjisori i shfaqjes ju referua faktit që vepra të tilla nuk kanë gjuhë dhe për këtë arsye pret që publiku të lerë ndasitë etnike dhe ta shikojë nga afër shfaqjen. Kjo, sipas tij, duhet të ndodhë edhe me të gjitha shfaqjet e tjera që janë paralajmëruar në të ardhmen.

Koreografia e kësaj shfaqje i është besuar koreografit me eksperiencë Artan Ibërshimit, i cili tha se kjo vepër është një mundësi për ta pranuar bashkëpunimet kulturore dhe për t’i tejkaluar pengesat, ndërsa për sa i përket vallëzimit do të jetë një vallëzim bashkëkohor duke përcjellë mesazhet regjisoriale.

Opera “Skëndërbeu”, me një buxhet prej 2.5 milion denarësh, do të shfaqet premierë më datën 23 dhjetor në orën 20:00, ndërsa biletat janë në shitje pranë sporteleve të Operës dhe Baletit të Maqedonisë së Veriut.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat