Pse Betoveni?

Muzikë

Pse Betoveni?

Më: 16 shtator 2020 Në ora: 15:33
Kent Nagano

Dirigjenti amerikan shpjegon për ne se çfarë do të thotë emri Betoven (Ludwig van Beethoven) sot dhe si e ka ndikuar ai botën.

Nga: Kent Nagano

1. Jeta koncertore sot do të ishte krejt ndryshe, pa Betovenin. Simfonitë dhe koncertet e tij solistike, në veçanti kanë ndihmuar në institucionalizimin e gjërave që ne i konsiderojmë si të natyrshme sot: sistemin e orkestrës, seritë e koncerteve, ditët përkujtimore muzikore dhe festivalet.

2. Shprehja e thellë e humanizmit që ngërthen muzika e Betovenit pasqyron idealet e iluminizmit: të drejtën për liri dhe drejtësi, për vetëvendosje, individualizmin dhe përparimin njerëzor. Koha e Betovenit ishte një kohë trazirash, lufte dhe nacionalizmi, por edhe një kohë në të cilën lindën koncepte të reja të individit, shoqërisë dhe botës. Në këtë kohë të ndryshimeve rrënjësore, njerëzit duhet të luftonin për dinjitetin e tyre, për lumturinë e tyre – dhe të merrnin edhe përgjegjësinë për këtë. Për këtë mënyrë të re të menduari, Betoveni kompozoi muzikën përgjegjëse duke komunikuar në të idealin e një bote më të mirë, më humane.

3. Betoveni shkroi muzikë që flet për humanizmin dhe për përvojën njerëzore. Shpesh, p.sh. në një koncert mund të dallosh në të tensionin midis individit dhe shoqërisë. Veprat pasqyrojnë edhe vlerat e shoqërisë borgjeze që po shfaqeshin në kohën e Betovenit. Këtu bën pjesë vlera e punës, e ideve, e ndjeshmërisë dhe e emocionalitetit. Pra, muzika e Betovenit ndonjëherë ka edhe përmbajtje politike, të cilat mund të dallohen përmes përkapjes së publikut ndër vite.

4. Kompozimet e Betovenit janë të një cilësie të shkëlqyer. Veprat e tij ishin dhe janë një sfidë, si në aspektin e teknikës së interpretimit, ashtu edhe për t’i interpretuar.

5. Betoveni ishte mjeshtër i zhanreve të ndryshme muzikore: muzikë solistike për piano, muzikë dhome, simfoni, oratorio, opera etj. Ai u përqendrua në veçantitë e zhanrit përkatës dhe vendosi standarde në to.

6. Ai ndihmoi të krijohej një lloj i ri kompozitori, ai që nuk ndihej i detyruar ndaj kishës ose autoriteteve, por vetëm ndaj zërit të tij të brendshëm. Në përputhje me shoqërinë që po lindte të kohës së tij, ai gjeti forma të reja të shprehjes muzikore. Me Betovenin erdhi koncepti i detyrimit artistik dhe i vërtetësisë artistike. Kjo rezultoi në një kuptim të ri të muzikës si një formë të artit shoqëror.

7. Ky kompozitor u bë figurë udhëheqëse e muzikës së kohës së tij: të gjithë të tjerët duhet të mateshin me të. Humanizmi në muzikën e tij ishte lënda për legjendën, për stilizimin dhe ikonizimin e figurës së Betovenit.

8. Ai ndryshoi mënyrën se si e dëgjojnë dhe e kuptojnë njerëzit muzikën. Muzika e tij u përhap me shpejtësi në formën dhe ritualin e koncertit publik – dhe përtej vlerës thjesht argëtuese ose vlerës së shpërqendrimit, shumë njerëz rizbulonin veten në të. Ajo përmban mesazhin e përvojës jetësore individuale, subjektive të vetëperceptimit ekzistencialist.

9. Në muzikën e Betovenit dëgjon përparim dhe zhvillim të mëtejshëm. Shpesh ajo duket se flet për të ardhmen ose proceset e ndryshimit. Kemi të bëjmë me një muzikë të guximit dhe optimizmit, gjallërisë dhe energjisë, plotërisë dhe lëvizjes – dhe ajo shkakton në të dëgjuar, një përjetim sensual, shpirtëror. Ndonjëherë në të tingëllojnë edhe shqetësime, dyshime për idenë e përparimit ose për aftësinë e njeriut për t’u zhvilluar në mënyrë cilësore. Mbi të gjitha, vepra e viteve të vona rrezaton ndonjëherë edhe skepticizëm, ose mund ta perceptosh si diçka medituese ose si vetëreflektim.

10. Muzika e Betovenit të shtyn përpara, ajo vazhdon, shpërthen kufijtë e së dhënës, të të paracaktuarës ose të asaj që tashmë ekziston. Ajo vë në dyshim rëndësinë e së transmetuarës dhe nënkupton idenë e përparimit përmes iluminizmit.

11. Muzika e Betovenit është universale. Ajo komunikon jo vetëm me një pjesë të zgjedhur të shoqërisë, por dëshiron të arrijë tek të gjithë. Arti i tij i përjetshëm është i vendosur përtej kufijve të të gjitha tendencave të modave. Ai pasqyron të vërteta të caktuara – dhe njerëzit kanë nevojë për këtë të vërtetë. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat