Në kujtim të ambasadorit të xhazit Willis Conover

Muzikë

Në kujtim të ambasadorit të xhazit Willis Conover

Më: 15 maj 2021 Në ora: 20:52
Willis Conover

Këtë muaj (më 17 maj) mbushen 25 vjet nga vdekja e Willis Conover, gazetarit të Zërit të Amerikës që e bëri popullor xhazin amerikan në mbarë botën. Le t’i hedhim një vështrim karrierës së tij dhe ndikimit global tek muzika dhe diplomacia.

“Ju flet Willis Conover. Kjo është ‘Ora e Xhazit’ e Zërit të Amerikës”, çelte emisionin në radio zoti Conover.

Në periudhën 1955-1996, Conover përfaqësonte një nga zërat më të mirënjohur, me dhjetëra milionë dëgjues të emisionit të tij të përjavshëm Jazz Hour.

Megjithë ditët e errëta të Luftës së Ftohtë, qeveria amerikane adoptoi xhazin si një mënyrë për të promovuar vlerat amerikane.

“Ai besonte se xhazi ishte një formë arti për të gjithë. Por e shikonte edhe si diçka demokratike, ku forca buron nga vullneti për të dëgjuar, për të improvizuar; të njëjtat cilësi që ai i konstatonte tek sistemi demokratik në Shtetet e Bashkuara”, thotë Nicholas Cull, historian i Universitetit të Kalifornisë së Jugut.

Ai mbante marrëdhënie të ngushta me gjigandët e botës së xhazit, muzikantë si Duke Ellington, Ella Fitzgerald dhe Sarah Vaughn.

Muzikantët afrikano-amerikanë ishin jashtëzakonisht popullorë, por përballeshin me paragjykime të mëdha.

“Ai i theu këto barriera, sidomos në Uashington, duke organizuar qëllimisht koncerte ku kombinoheshin njerëz me prejardhje të ndryshme për të luajtur muzikë në klubet e Uashingtonit”, thotë Jimi Cook, teknik në Zërin e Amerikës dhe njëkohësisht muzikant xhazi.

Conover ngrinte ura nëpërmjet vizitave në Evropën Lindore apo transmetimeve nga studioja.

“Le të dëgjojmë një tjetër shembull xhazi nga Hungaria”, thoshte ai në radio.

Në një moment, ai organizoi një program të veçantë vetëm për të apasionuarit pas xhazit në Indi.

Zyrtarët amerikanë sponsorizuan turnetë e muzikantëve të xhazit dhe shpesh i shoqëronte Conover, tashmë një yll ndërkombëtar. Ai i prezantonte muzikantët me stile të reja dhe audiencat me talente si Miriam Makeba nga Afrika e Jugut.

“Ka qenë gjithnjë një muzikë që ndërvepron me stilet e afërta; pra evoluon ndërsa vazhdon të ndërveprojë me muzikat e tjera”, thotë Maristella Feustle, nga biblioteka e muzikës në Universitetin e Teksasit Verior.

Conover e nxiste këtë lloj kombinimi, dhe la pas një trashëgimi të rëndësishme në Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore.

“Njerëzit flasin për të në Kubë. E kujtojnë mirë në Rusi. Mendoj se është pjesë e fatit të tij që të harrohet në vendin e tij, por të jetë i dashur për botën”, thotë zoti Cull.

Willis Conover la gjurmët e tij edhe tek brezat e muzikantëve nga e gjithë bota./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat